Rihapet dosja e shekullit? Provat e Izet Haxhisë në gjykatë

Avokati i Izet Haxhisë, ish-truprojës së Sali Berishës të dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e Azem Hajdarit paraqiti sot në Gjykatën e Tiranës provat për të kërkuar rihapjen e dosjes “Hajdari” e konsideruar si “dosja e shekullit”. Bashkim Nikolla ka deklaruar se klienti i tij është i pafajshëm, por u largua drejt Turqisë për shkak se i rrezikohej jeta.

Për të vërtetuar që emri i tij nuk përmendet si bashkëpunëtor në vrasje, avokati ka nxjerrë një shkresë të Shërbimit Informativ Shtetërot (SHIK) asokohe drejtuar kryeministrit Pandeli Majko dhe Presidentit Rexhep Mejdani.

Avokati i Haxhisë iu referua edhe së ashtuquajturës “Marrëveshja e Rognerit”, në bazë të së cilës klienti i tij pretendon se ka pasur një skenar të qartë për ta eleminuar fizikisht, e për të cilën akuzoi drejtpërdrejt Sali Berishën.

Prokurori i çështjes deklaroi se avokati nuk paraqiti asnjë provë për të kërkuar rihapjen e dosjes dhe se kërkesa e tij ishte e pabazuar. Mësohet se gjykatësi i dha shtatë ditë mbrojtjes për të mbledhur të tjera prova deri më datë 14 qershor për të dalë me një vendim.