Basha: Beteja me Saimir Tahirin përfundoi me sukses

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha e ka konsideruar betejë të fituar atë me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas tij Tahiri sot është jashtë politikës, falë këmbënguljes së opozitës.

Ndërsa ka shtuar se Xhafaj duhet larguar nga posti i Ministrit të Brendshëm, pasi qëndrimi i tij në krye të kësaj ministrie do të thotë shkatërrim provash.

“Beteja me Saimir Tahirin ka marrë fund me sukses. Tahiri është jashtë politikës, po të ishte në dorë të Ramës ai do të ishte akoma deputet. Fati i Tahirit u vulos kur tradhtoi fatin e njerëzve, kur shndërroi policinë e shtetit në mbrojtje të trafikut të drogës. Çdo minutë e qëndrimit të tij në krye të ministrisë së Brendshme dëmton provat. E gjithë koha e ministrit të Brendshëm është vënë në funksion të Agron Xhafajt dhe vetes së tij”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës e cilësoi një skenar kriminal deklaratën e bërë nga kryeministri Edi Rama, vetëm 24 orë pasi doli audipërgjimi ku ishte i përfshirë vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Sipas tij, asnjë laborator nuk mund të nxjerrë analizat nëse audipërgjimi ishte apo jo i vërtetë. Sipas tij deklarata e Ramës ishte marrje në mbrojtje e trafikantëve.

“Nuk mund të pretendojë ky njeri të bëjë vettingun dhe vetë të ketë vëllain trafikant droge. Ky është koka e Ministrisë së Brendshme. Vetëm 24 orë pasi doli audipërgjimi Rama tha se sipas të dhënave të mia, doli e tha që audipërgjimi është i pavërtetë. Menjëherë pas kësaj u kërcënua gazetari, u kërcënua dëshmitari. Ky është një akt kriminal. Brenda 24 orëve Prokurori ndërmori 40 veprime, pranoi mostrat siç ja servirën, siç ua dha Agron Xhafaj”, tha Basha.