Të ardhurat nga parkimi/ Në tre muaj 46 mijë gjoba parkimi dhe 172 mijë bileta të shitura

Numri i gjobave të vendosura për parkim në zona të palejuara apo pa paguar tarifat në Tiranë është rritur ndjeshëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Policia Bashkiake ka raportuar 46,884 gjoba të vendosura në rrugët e kryeqytetit, të cilat janë hedhur online në sistemin E-gjoba.

Duke vendosur një vlerë mesatare prej vetëm 1 mijë lekësh për çdo masë administrative, mund të llogarisim se në arkat e bashkisë janë arkëtuar rreth 47 milionë lekë.

Krahasuar me një vit më parë, numri i gjobave të maturuara është dyfishuar, edhe për shkak të shtimit të rrugëve në sistemin me pagesë. Kjo vihet re edhe nga ky grafik që tregon numrin e gjobave të vendosura për çdo muaj, qëkurse kanë nisur të regjistrohen këto të dhëna.

Krahas gjobave të parkimit, Bashkia e Tiranës ka rritur ndjeshëm të ardhurat edhe sa i takon biletave të shitura në sheshet e parkimit Eco-Parking. Vetëm për tremujorin e parë të vitit janë mbi 172 mijë bileta të shitura.

Duke qenë se sheshet e parkimit kanë tarifa të ndryshme, SCAN ka llogaritur se nëse çdo biletë e shitur do të ishte vetëm për një orë, atëherë nga parkingjet janë arkëtuar të paktën 25 milionë lekë.

Numri i mësipërm i biletave nuk përfshin ato të shitura në rrugët me tarifë parkimi apo nga kontratat për parkim të rezervuar, ndaj të ardhurat reale të Bashkisë nga parkimi janë shumë më të larta. Më relacionin që shoqëronte projektbuxhetin faktik të vitit 2017, Bashkia deklaronte se të ardhurat nga tarifa e parkimit për vitin 2017 ishin 338.3 milionë lekë.