Soltes: Besoj që në deri në fund të vitit hiqen vizat për Kosovën

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, shfaqi të mërkurën besimin se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë deri në fund të këtij viti.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë, pas takimeve me udhëheqës të institucioneve dhe organizatave jo qeveritare, në një vizitë faktmbledhëse para hartimit të raportit për Parlamentin Evropian.

Ai tha se në Parlamentin Evropian ka pajtim të gjerë që të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës dhe shpreson që raporti për këtë çështje që pritet të publikohet këtë muaj nga Komisioni Evropian të jetë pozitiv dhe t’i dërgojë sinjal të qartë pozitiv Këshillit Evropian, në mënyrë që të miratojë heqjen e vizave për Kosovën.

“Liberalizimi i vizave realisht tashmë është shumë vonë, por, ju lutem mos e akuzoni vetëm Bashkimin Evropian për këtë vonesë për shkak se Kosova ka qenë e paraparë të heq vizat dy vjet më parë së bashku me Gjeorgjinë dhe Ukrainën”, tha ai.

Zoti Soltes tha se gjatë këtyre ditëve ka diskutuar me udhëheqës të institucioneve të Kosovës edhe për përmirësime tjera posaçërisht në sektorin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe reformat për pavarësinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ai tha se lufta kundër korrupsioni dhe krimit të organizuar është çështje me rëndësi për të ardhmen e Kosovës.

“Ky është një proces që do të vazhdojë dhe është në interes të publikut në Kosovë që të zvogëlohet korrupsioni sa më shumë që të jetë e mundur”, tha ai.

Zoti Soltes tha se bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të vazhdojnë sa më shpejt që është e mundur ndërkaq bëri thirrje për arritjen e marrëveshjes që sipas tij është e ndjeshme por edhe e rëndësishme. Ai ndërkaq bëri thirrje që Kosova të gjejë një kompromis politik për fazën e ardhshme të bisedimeve.

“Është shumë e rëndësishme që të gjendet një platformë politike e pranueshme për të gjitha palët në Kosovë edhe për pushtetin dhe opozitën sepse është shumë e rëndësishme që të ketë një marrëveshje nga Parlamenti i Kosovës për bisedimet dhe për autorizimin e udhëheqësit të këtyre bisedimeve”, tha ai.

Një ditë më parë, qeveria e Kosovës tërhoqi nga rendi i ditës në Parlamentin e Kosovës, platformën për bisedime me Serbinë, me qëllim që siç u tha t’i jepet hapësirë gjetjes së një konsensusi më të gjerë politik, pasi çdo marrëveshje e arritur do të duhej të ratifikohej në Parlamentin e Kosovës.

Tërheqja pasoi, kundërshtimin partive opozitare në parlament të cilat u shprehën kundër platformës së qeverisë në përmbajtje por edhe kundër rolit udhëheqës të këtyre bisedimeve nga presidenti Hashim Thaçi.

Me gjithë kundërshtimet e partive në parlament për mënyrën e udhëheqjes së bisedimeve, presidenti Thaçi do të mund të zhvillojë takimet e ardhshme, mbase brenda këtij muaji.

Kosova e Serbia po hyjnë në një periudhë përfundimtare të bisedimeve për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, si kusht për integrimet evropiane./VOA/