Ruçi: Kuvendet të lehtësojnë bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u takua me delegacionin e Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Nënkryetarja, Aida Dërguti.

Delegacioni kosovar e informoi Kryetarin e Kuvendit mbi dy rezolutat e miratuara ditët e fundit prej Kuvendit të Republikës së Kosovës, Rezolutën Nr. 06-R-004 “Për heqjen e Roamingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe republikës së Shqipërisë”, dhe Rezolutën Nr.06-R-005 “Për heqjen e tërësishme të kontrollit  për hyrje/daljet e shtetasve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në pikat kufitare: Vërmicë, Qafë Prush, dhe Qafë Morinë”.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u shpreh dakord me propozimet e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përfshira në rezultate e miratuara. “Është detyra e kuvendeve të të dy vendeve,”-nënvizoi kryetari Ruçi, “të lehtësojmë bashkëpunimin e gjithanshëm midis Shqipërisë e Kosovës, në mbështetje të interesave të qytetarëve. Për të dy palët ekziston vullneti i plotë dhe i qartë politik. Këto rezoluta janë një hap pozitiv, por duhen parë me kujdes teknikalitetet e zbatimit të tyre prej qeverive dhe institucioneve të të dy vendeve”.

Në takim u bisedua edhe për çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh në fushën  e energjisë, njehsimit të diplomave, plotësimit të standardeve të integrimit etj.  Të dy palët ranë dakord që për rritjen e bashkëpunimit midis të dy vendeve duhet të ndiqen praktikat më të mira të vendeve të BE-së. Çdo marrëveshje bashkëpunimi duhet të mbështetet nga vullneti politik, forca e ligjit, detyrimet ndërkombëtare dhe të procesit të integrimit evropian dhe interesi qytetar. Kuvendet duhet dhe mund të nxisin këtë bashkëpunim edhe nëpërmjet komisioneve parlamentare. “Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës duhet të ushtrojnë të gjitha kompetencat e kontrollit parlamentar për përshpejtimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.