Hitzfeld: Xhaka mund të luajë për Realin ose Barcelonën

Granit Xhaka ka debutuar te Zvicra kur ishte vetëm 18 vjeç, kur në krye të Kombëtares helvete ishte Otmar Hitzfeld. Trajneri gjerman ka pasur shumë besim te futbollisti shqiptar, madje duke e aktivizuar në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian kundër kreut të grupit, Anglisë, në “Uembli” para 85 mijë shikuesve.

“Për mua nuk ka rëndësi është i vjetër apo i ri, rëndësi ka qe të ketë potencial për të luajtur në ekip. Kam pasur shumë besim te Graniti, dhe kisha përshtypje shumë të mira nga stërvitjet. Ai kishte shumë besim. Biseduam para ndeshjes nëse mund të luante në “Uembli” dhe më tha ‘Pse jo’. Ai ishte i bindur për vlerat e tij, kjo ishte shumë e rëndësishme”, tha Hitzfeld për gazetën “Bild”.

Ndeshja përfundoi 2-2. Xhaka ishte shpallur kampion i botës me Zvicrën U-17. Pas ty titujve me Bazelin, Xhaka nw vitin 2012 nënshkroi kontratë 5-vjeçare në Gladbahun.

“Graniti e di se sa është i aftë dhe se çfarë mund të bëj”, shtoi ish-trajneri i njohur. Në vitin 2016, Xhaka transferohet te Arsenali për 40 milionë paund, duke u bërë futbollisti më i shtrenjtë zviceran i të gjitha kohërave. “Arsenali është një klub i madh. Nëse Graniti merr një ofertë, unë mendoj se ai mund të luajë me Barcelonën ose Realin. Është një lojtar shumë dominues. Një lider”, nënvizoi Hitzfeld. /Koha Jonë/