Vrau Cukun, Shallari “mik me drejtësinë” dënohet me 10 vite

Edhe pse porositësi është në kërkim, ekzekutuesi i ish-komisarit Artan Cuku, çdo ditë e më shumë po përfiton nga drejtësia. Gjykata e Krimeve të Rënda, e dënon me 10 vite burg Mikel Shallarin, i cili ekzekutoi në prill të vitit 2017, ish-komisarin Artan Cuku pranë apartamentit të tij në “Rrugën e Kosovarëve” në Tiranë.

Ky dënim erdhi pas marrëveshjes së Shallarit me drejtësinë, i cili pranoi autorësinë e krimit dhe se ishte porositur nga Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci, për hakmarrje. Shallari ka pranuar gjithashtu se ishte paguar 3 mijë euro për krimin. Gjykata ka pranuar aktmarrëveshjen e Shallarit me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke e dënuar Mikel Shallarin me 10 vite burg. Ndërkohë, vijon të jetë në kërkim porositësi i krimit për hakmarrje, Bledar Jambelli, i cili dyshohet se fshihet në Greqi.

Me këtë kërkesë të prokurit ishte dakord edhe vetë Shallari si dhe avokati i familjarëve të viktimës. Shallari akuzohet për “Vrasje të punonjësit të Policisë së Shtetit”, e kryer në bashkëpunim me Bledar Jambellin dhe Kristaq Leci ose Gerti Kajo.