Shorti e ka vendosur përballë Serbisë, Shaqiri: Do të jetë thjeshtë një ndeshje futbolli!

Xherdan Shaqiri këtë verë do të jetë i impenjuar në Kupën e Botës me Kombëtaren e Zvicrës, teksa fati i goglave e ka vendosur përballë Serbisë, një ndeshje që do të përjetohet në një mënyrë të veçantë duke marrë në konsideratë origjinën e tij.

Duke folur për mediat zvicerane, ai thotë se fati e ka vendosur Zvicrën në një prej grupeve më të forta të Botërorit, ndërsa për ndeshjen me Serbinë nuk sheh më shumë sesa futboll.

“Shumë mendojnë se do të ketë shumë politikë në këtë takim, për shkak të origjinës kosovare timen dhe të disa shokëve të tjerë të mi në ekip. Vërtet Serbia dhe Kosova luftuan, por ky është futboll dhe bëhet fjalë për një ndeshje futbolli, asgjë më shumë.

Në Angli është një kampionat i lodhshëm dhe pa pushime dimërore. Ka qenë i lodhshëm edhe psikologjikisht, për shkak të luftës për mbijetesë”, u shpreh Shaqiri në një intervistë të dhënë së fundmi.