Negociatat, Gjonaj bashkon deputetët në Parlamentin Gjerman

Edhe pse politika në vend flet për ndarje për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në, në parlamentin Gjerman pozitë-opozitë është bashkuar. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, së bashku me deputeten e PD-së Rudina Hajdari, dhe me Mimi Kodhelin, zhvilluan sot një seancë dëgjimore me një grup deputetësh të Parlamentit Gjerman të kryesuar nga Florian Hahn, pjesë e Komisionit për Çështje Evropiane.

Gjermania është cilësuar si një vend skeptik për çeljen e negociatave, edhe pse mbështetjen e ka dhënë. Hahn, në fjalën e tij të mirëseardhjes vlerësoi praninë e delegacionit shqiptar në kushtet kur edhe Bundestag shumë shpejt do të marrë një vendim për qendrimin që do të mbajë Gjermania mbi rekomandimin e Komisionit të BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Në fjalën e saj, Ministrja bëri me dije që rekomandimi i Komisionit të BE për hapjen e negociatave me BE është një vlerësim për të gjitha arritjet e Shqipërisë deri më tani.

Ministrja Gjonaj u ndal në arritjet e deritanishme të reformave në Shqipëri, duke u fokusuar në ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe rëndësinë e krijimit të një sistemi gjyqësor transparent.

“Ajo vlerësoi asistencën teknike dhe financiare të ofruar nga Gjermania si pjesë e misionit EURALIUS që nga fillimi i kësaj reforme, si dhe në zbatimin e saj. Më pas, ajo i njohu deputetët me rezultatet e para të prekshme të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe me mbështetjen e Qeverisë shqiptare për ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, veçanërisht ngritja e dy Këshillave, si organet përgjegjëse të ngarkuara nga Kushtetuta me mirëqeverisjen e sistemit gjyqësor dhe atij të prokurorisë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë.

Ministrja Gjonaj bëri me dije masat që Qeveria shqiptare ka marrë për të forcuar luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe krimit të organizuar.

Në pjesën e dytë të takimit, delegacioni shqiptar iu përgjigj pyetjeve të deputetëve. Këta të fundit, ndër të tjera, shprehen interesin e tyre për të ditur më shumë mbi ecurinë e procesit të vetingut dhe plotësimin e vakancave që do të krijohen si pasojë e këtij procesi, mbi reformat për zhvillimin e shtetit të së drejtës si dhe reformën zgjedhore.

Ministrja e Drejtësisë i bëri me dije të deputetëve që pavarësisht fillimit të ngadaltë, procesi i Vettingut po ecën me një ritëm të kënaqshëm dhe është parashikuar që shumë shpejt do të përfundojë rivlerësimi i listës prioritare dhe më pas menjëherë mund të ngrihen organet e reja të sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, ajo bëri me dije që reforma në drejtësi dhe reformat e tjera që po ndërmerr Shqipëria për çështjen e pronave, përmirësimin e shërbimeve publike dhe derregullimin garantojnë forcimin e shtetit të së drejtës dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë.