DOSJA/ Si u josh Mikel Shallari të vriste Artan Cukun

Gazetarja Klodiana Lala ka mundur të sigurojë për “BalkanWeb” dosjen e plotë të vrasjes së komisarit në lirim Artan Cuku më 8 prill të vitit 2017 rreth orës 20:10 me katër plumba, në hyrjen e pallatit “Melrose” që ndodhet në kryqëzimin e rrugës së Kosovarëve me rrugën “Ndreko Rino”, në Tiranë.

Në dosje përshkruhet me detaje se si u identifikua Mikel Shallari falë gjumëve të ADN-së të gjetura në bluzën sportive blu që e hodhi në koshin e mbeturinave pas krimit. Profili gjenetik i vrasësit u zbulua në Bernë të Zvicrës dhe policia shqiptare mësoi se quhej Mikel Shallari, i cili kishte qënë i dënuar atje për trafik droge.

Ai ka rezistuar vetëm dy ditë pas arrestimit dhe me 12 qershor të vitit 2017 ka shprehur dëshirën për të bashkëpunuar dhe nënshkroi marrëveshjen me prokurorinë. Shallari tregoi me detaje krimin dhe emrat e bashkëpunëtorëve.
mikel-shallari
Siç thuhet edhe në dosje, organizatori dhe porositësi i vrasjes është Bledar Jambelli (alias Rikardo Muho) i arrestuar tashmë dhe shtytësi apo bashkëpunëtori është Gerti Kaji (alias Kristaq Leci), ky i fundit djali i dajës së të pandehurit.
mikel-shallari-1
Në dosjen e siguruar nga “BalkanWeb” përmenden për herë të parë motivet që e shtynë të riun të merrte përsipër krimin.

vrasesi-1
(Ne foto, Mikel Shallari)
I pandehuri dha shpjegime të hollësishme mbi rrethanat dhe motivin e krimit të vrasjes së shtetasit Artan Cuku. Ai pranoi se për kryerjen e vrasjes së tij i ishin premtuar 20 mijë euro, nga personi i interesuar, të cilin ai e pati njohur me ndërmjetësimin e djalit të dajës, të pandehurit Kristaq Leci, i cili e konsideronte atë si person të rëndësishëm dhe e quajnte “i madhi” ose “Shefi” . Ky person u identifikua më pas nga ai si Bledar Jambelli. Përveç çmimit të mësipërm të krimit, organizatori dhe ndërmjetësi i premtuan të pandehurit se do ta ndihmonin të sistemohej në Gjermani, atje ku banonin ata. Ndonëse fillimisht hezitoi, i pandehuri pranoi ta kryente këtë krim duke qënë se ndodhej në vështirësi financiare, kishte një të dashur me të cilën bashkëjetonte në një shtëpi me qira, nuk kishte punë stabël për të siguruar të ardhura dhe përherë ishte në borxhe e vështirësi ekonomike. Ai u josh nga premtimet e të bashkëpandehurve për t’i siguruar një jetë më të mirë”,- thuhet në dosje.