Manastirliu dhuron gjak për fëmijët talasemikë: 10 minuta për të shpëtuar 3 jetë

Në periudhën më të vështirë të vitit, kur rritet nevoja për mbulimin me gjak, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nisi sot fushatën e dhurimit vullnetar të gjakut: 10 minuta për të shpëtuar 3 jetë! Ministrja Manastirliu dhe stafi i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale dhuruan sot gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

”Kjo e në vijim është një periudhë e vitit ku nevojat për gjak janë të mëdha ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nis sot fushatën e dhurimit të gjakut: 10 minuta për të shpëtuar 3 jetë! Për të ndihmuar ata që kanë nevojë për gjak, në mënyrë të veçantë fëmijët talasemikë”, tha Manastirliu.

Ministrja theksoi se ne kemi 10.7 dhurime për 1000 banorë ndërsa nevojat janë dy herë më të mëdha ndaj bëri këtë apel për qytetarët:

“Nevojat e vendit për gjak janë 20 dhurime për 1 mijë banorë ndaj gjej rastin të bëj një apel për qytetarët të na bashkohen në këtë iniciativë që I vjen në ndihmë së pari fëmijëve me sëmundje gjaku. Në këtë fushatë 1-mujore, e cila padyshim do të vijojë edhe më tej, ne synojmë të arirjmë 1 mijë dhurues, për 3 mijë jetë të shpëtuara”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Fushata do të shtrihet në të gjithë vendin nga sot deri më datë 4 Korrik, për të ndihmuar në plotësimin e nevojave me gjak, posaçërisht për fëmijët talasemikë.

Më poshtë gjeni informacion të detajuar për fushatën e MShMS: 10 minuta për të shpëtuar 3 jetë!

Përse 10 minuta? Kaq kohë ju duhet për të dhuruar një njësi gjak ose 400-450 mililitra gjak. Pse shpëtoni 3 jetë në 10 minuta? Sepse në një njësi gjak që ju dhuroni ju shpëtoni 3 jetë nëpërmjet ndarjes së tij në komponentë dhe produkte të tij si rruaza të kuqe, plazëm dhe trombocite.

Target: Në 1 muaj-1000 dhurues vullnetarë=3,000 jetë të shpëtuara.

Fëmijët të parët: Janë 170 fëmijë talasemikë në mbarë vendin të moshës deri në 14-vjeç që kanë nevojë të vazhdueshme për gjak ndaj le të bashkohemi të gjithë bashkë për të shtuar numrin e dhuruesve vullnetarë të gjakut në mënyrë që këta fëmijë të bëjnë një jetë sa më normale.

Që prej vitit 2004, 14 qershori shënon Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut. Tema e fushatës për vitin 2018 është një akt solidariteti dhe falenderimi ndaj të gjithë atyre që dhurojnë gjak vullnetarisht.

Slogani i 2018 “Qëndroj pranë dikujt. Dhuro gjak. Nda jetë”. Fushata e këtij viti ka në fokus të ndaj me opinionin publik histori njerëzore me qëllim motivimin e djemve dhe vajzave të reja për të dhuruar gjak.

Fakte nga vendi

Ne kemi rreth 10.7 dhurime gjaku për 1000 banorë. Nevojat e vendit për gjak janë të mjaftueshme me 20 dhurime gjaku për 1000 banorë.
Vetëm në Tiranë gjatë një jave, në spital përdoren rreth 350 njësi gjaku.
Për pacientët me talasemi përdoren aktualisht rreth 90 njësi gjaku në javë.
Në pacientët me trauma dhe aksidente automobilistike të ndryshme përdoren afërsisht 10 njësi gjaku në javë.
Në sëmundjet e brendshme dhe sëmundjet e gjakut përdoren rreth 100 njësi gjaku në javë.
Në pacientët kirurgjikë përdoren rreth 150 njësi gjaku në javë.

Përse duhet të dhurojmë gjak

Dhurimi i gjakut është një akt human i cili shpëton jetë njerëzish. Gjaku i sigurt shpëton jetë dhe përmirëson shëndetin. Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese e cila nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi i gjakut në mënyrë vullnetare dhe të rregullt nga njerëzit dhe pa pagesë.

Dhurimi i gjakut nevojitet për:

  • Gratë me komplikacione gjatë shtatzënisë, si dhe hemorragji përpara, gjatë dhe pas lindjes.
  • Fëmijët me anemi të theksuar që shpesh vijnë nga malaria dhe kequshqyerja.
  • Njerëzit të cilët pësojnë aksidente dhe u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjike, për pacientët me kancer, si dhe në shumë ndërhyrje të tjera kirurgjike për sëmundje të ndryshme.
  • Gjithashtu, gjaku është i nevojshëm për njerëzit të cilët janë të sëmurë dhe duan në mënyrë të rregullt transfuzione gjaku, si pacientët me talasemi, me sëmundjen drepanocitare të gjakut, me hemofili, leuçemi etj.

Kush mund të dhurojë gjak:

Mund të bëhet dhurues çdo person i cili gëzon shëndet të mirë, peshon 50 kg e lart dhe ka moshën 18-60 vjeç.

Kush nuk mund të dhurojë gjak: Përjashtim të përhershëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë:

  • Sëmundje kardiovaskulare
  • Sëmundje infektive si (Hepatit viral B, C, TBC, HIV, Sifiliz)
  • Kryer transplante
  • Diabet insulinovartë
  • Sëmundje autoimune
  • Tumore malinje
  • Epilepsi
  • Sjellje seksuale me rrezik të madh infektimi, si dhe përdoruesit e alkoolit dhe drogës.

Përjashtim të përkohshëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë:

  • Marrë antibiotik ose sapo kanë mbaruar kurën 7 ditore me antibiotik.
  • Kollë dhe dhimbje fyti.
  • Kryer një ndërhyrje kirurgjike brenda vitit.
  • Gratë gjatë shtatzënisë dhe një vit pasi kanë lindur, si dhe gjatë ciklit menstrual.
  • Bërë tatuazhe apo pircinge në 4 muajt e fundit.
  • Marrë transfuzione gjaku gjatë një trajtimi mjekësor apo ndërhyrjeje kirurgjike.
  • Bërë një vaksinë.
  • Kryer marrëdhënie seksuale të rastësishme.
  • Alergji të ndryshme në fazën akute.
  • Kryer ekzaminime endoskopike.

Sa shpesh mund të dhurojmë gjak:

Të rinjtë që kanë mbushur moshën 17 vjeç dhe peshojnë 50 kg dhurojnë 2 herë në vit, pra çdo gjashtë muaj (me miratimin e prindërve). Burrat mund të dhurojnë 4 herë gjak gjatë një viti, me një diferencë prej 12 javësh midis dy dhurimeve të gjakut. Gratë në moshën e pjellorisë këshillohet të dhurojnë gjak 2 herë në vit, pra çdo gjashtë muaj.

Sa gjak dhurohet: Sasia maksimale e gjakut të marrë sipas ligjit në fuqi për secilin dhurues është 450ml (±10%). Marrja e gjakut zgjat rreth 5 deri 8 min, dhe kryhet me materiale mjekësore sterile dhe njëpërdorimshe. Sasia e gjakut të dhuruar zëvendësohet brenda pak orëve, ndërsa duhen rreth 20 ditë që të rifitohet numri normal i qelizave.

Çfarë duhet bërë para dhe pasi dhurohet gjak:

Ditën që do të dhuroni gjak hani një mëngjes të lehtë dhe pini sa më shumë lëngje, si para ashtu edhe pas dhurimit të gjakut. Këshillohet të mos përdoren pije alkoolike dhe duhan. Mos kryeni aktivitete fizike të forta. Përpara dhurimit të gjakut mjeku do të bëjë kontrollin dhe vlerësimin klinik të dhuruesit (peshën, rrahjet e zemrës, tensionin, hemoglobinën), dhe do të kryej një bashkëbisedim të shkurtër me qëllim përpilimin e një pyetësori, gjë që përcakton aftësinë dhe pranimin për dhurim të gjakut.

Çfarë përfitoj unë nëse dhuroj gjakÇdo dhuruesi gjaku përfiton këto testime:

  • Gjak komplet
  • Transaminazat ALT
  • Konfirmimin e grupit të gjakut dhe Rh
  • Testim për Hepatit B, C, HIV, Sifiliz dhe Citomegalovirus (CMV)

Nëse je dhurues periodik, përveç testimeve të sipërpërmendura kryhen edhe disa ekzaminime shtesë si:

  • Glicemia
  • Kreatinemia
  • Proteinemia
  • Kolesterolemia
  • Trigliceridemia
  • Feritinemia