Lajmet e rreme/Kryemadhi nxjerrë bllof mediat online

Fenomeni i lajmeve të rreme në portalet shqiptare ka njohur një rekord të ri, duke manipuluar dhe deklaratat dhe faktet publike që transmetohen live në televizione.

Deklarata e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi për qëndrimet e opozitës për Ministrin e Brendshëm është keqinterpretuar dhe nxjerrë jashtë kontekstit. Konkretisht, deklaratën e kryetares së LSI se Ministri i Brendshëm, Famir Xhafaj ka përgjegjësi morale dhe ligjore për të vëllanë, portalet e kanë interpretuar sikur kryetarja e LSI-së ka deklaruar se ministri nuk ka përgjegjësi. Nisur nga kjo sajesë më pas arrihej në përfundimin se LSI ka qëndrim të ndryshëm nga PD.

Përballë këtij “Fake News” kryetarja e LSI u detyrua të përgënjeshtrojë portalin “Mapo.al”. E ftuar në emisionin e “Tonight Ilva Tare” Kryemadhi tha se “ministri Xhafaj ka përgjegjësi për përdorimin nga vëllai të policisë”. Kryetarja e LSI-së i cilësoi përdorimet të tilla të mediave si pjesë e skemës së PS për të manipuluar opinionin publik. “Kur këta të manipulojnë dhe tjetërsojnë fjalët këtu live para shqiptarëve, mendoni se çfarë bëjnë me gjërat e tjera”,- tha kryetarja e LSI.