A do të shpërblehet Gjermania për refugjatët?

Gjermania është përpjekur herë pas here që të arrijë një ndarje të drejtë të refugjatëve në shtetet anëtare të BE. Tani të paktën mund të vijnë më shumë para për ato vende, të cilat pranojnë refugjatë në vendin e tyre.

“Epo, kaq larg ende nuk kemi vajtur”, me këto fjalë u përpoq ta zbusë zëdhënësi i Kancelares Angela Merkel raportin e gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Thelbi i informacionit të gazetës: Gjermania do të marrë për periudhën e ardhshme buxhetore të BE, prej viteve 2021 deri 2027 rreth 4,5 miliardë euro si kompensim për barrën e refugjatëve.

Edhe shtete të tjera, të cilat kanë pranuar një numër veçanërisht të lartë refugjatësh, si Italia p.sh, Greqia ose Suedia, sipas raportit do të marrin më shumë para. Kjo do të arrihet duke i ndarë fondet strukturore, të cilat janë parashikuar për rajone veçanërisht në nevojë, tani edhe sipas kritereve të barrës për imigrimin.

“Angazhimi i rajoneve duhet të pasqyrohet”

Deri tani, migrimi nuk ka luajtur rol në ndarjen e parave. Që Gjermania ka ngulur këmbë këtu për disa ndryshime, këtë e pranon Seiberti: “Gjermania nguli këmbë në negociata edhe që të merret parasysh angazhimi i rajoneve dhe komunave të shteteve anëtare në pranimin e refugjatëve dhe migrantëve”. Megjithatë, ideja që u bë publike tani nga qarqet e Komisionit të BE duhet të vendoset nga shtetet anëtare dhe nga Parlamenti Evropian. Dhe se si do të pritet kjo ide që pikërisht Gjermania të marrë më shumë para nga buxhetet e BE, për shembull nga shtetet evropianolindore, skeptike ndaj Evropës, këtë nuk e di askush.

“Ne nuk donim të ndëshkonim”

Kancelarja gjermane nuk pati sukses as në shkurt në Bruksel me idenë për t’u përcjellë shteteve të caktuara të BE më pak para nga fondet strukturore, për shkak të qëndrimit të tyre pak bashkëpunues në politikën ndaj refugjatëve. Supozimin e përgjithshëm se bëhej fjalë për një aksion dënimi të Gjermanisë së fuqishme, Seibert e hedh poshtë prerë:

“Qeveria gjermane nuk synoi në asnjë fazë ndëshkimin. Ndëshkimi nuk është mjet veçanërisht efikas, kur dëshiron që të krijosh në Evropë bashkëpunim midis 27 shteteve”. Por është fakt që prej kohësh BE nuk po arrin të bëjë një ndarje të drejtë të numrit të madh të refugjatëve midis shteteve anëtare. Midis viteve 2013 dhe 2017, sipas të dhënave zyrtare në BE erdhën më shumë se 1,7 milionë vetë, gjysma e tyre erdhën në Gjermani.

Edhe po mori Gjermania para nga BE do të jetë një pjesë tepër e vogël e fondeve
Në fakt, Gjermania nuk është vend klasik që merr para nga fondet strukturore të Bashkimit Evropian: paratë që merr Gjermania nga këto fonde janë të pakta. Por kur tani do të luajë rol edhe politika ndaj refugjatëve, kjo e ndryshon pak punën. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, Gjermania mund të llogarisë të marrë midis viteve 2021 dhe 2027 diçka më shumë se 15 miliardë euro. Gati një e treta e këtyre parave do të ishin për pranimin e refugjatëve.

Po nëse Gjermania do të marrë vërtet para nga BE, kjo është një pjesë tepër e vogël e të gjitha fondeve strukturore. Sa për krahasim: midis viteve 2014 dhe 2018 BE ka ndarë 280 miliardë euro nga fondet strukturore dhe të investimeve, në vitet e ardhshme është në dispozicion një shumë edhe më e madhe./DW/