Një lajm i keq për shqiptarët që kërkojnë azil në Gjermani

Numri i të huajve që janë dëbuar nga Gjermania gjatë vitit 2017 ka qenë 23,966 gjithsej, ose më i vogël se një vit më parë, kur ai ishte 25,375. Nga kjo shifër, shumica dërmuese e migrantëve janë dëbuar përmes rrugës ajrore (21904 sish) ndërsa në rrugën tokësore janë dëbuar 2011 dhe në atë ujore, vetëm 51 të huaj.

Më së shumti të dëbuar në nivel të Gjermanisë ka pasur nga Frankfurti (6756), nga Dyseldorfi (4845) dhe nga Munihu, 2421. Ndërsa sa u përket vendeve në të cilat janë bërë më së shumti dëbime (përmes rrugës ajrore), listën e kryeson Shqipëria me 3429, e ndjekur nga Kosova (2721) dhe Serbia (2359).

Nga ana tjetër, numri i të huajve që kanë lëshuar Gjermaninë vullnetarisht për vitin 2017 ende nuk dihet saktësisht. Por, gjatë vitit 2016, përmes programit të përbashkët të Qeverisë Federale në bashkëveprim me landet, janë kthyer 54069 persona ndërsa këtij numri i duhen shtuar kthimet e mbështetura veç e veç nga landet.

Në landin e Bavarisë, gjatë vitit 2017 janë kthyer vullnetarisht 13101 persona, më së shumti prej tyre (1443) në Irak, pastaj 1275 në Ukrainë. Në periudhën nga fillimi i këtij viti (2018) e deri më 30 prill 2018 nga Bavaria kanë ikur vullnetarisht 4094 të huaj.

Minorenë të pashoqëruar

Zyrat e UNHCR-it dhe kanë mjaft histori të tilla për të treguar. Në vitin 2015 kërkuan strehim në Gjermani 257 minorenë të pashoqëruar shqiptarë. Një vit më vonë numri ra në më pak se gjysmën në 110, dhe në vitin 2017 numri i minorenëve që kërkuan strehim në Gjermani ra në 53. Mes tyre ka pasur të rinj që janë larguar prej gjakmarrjes, dhunës në familje, por edhe varfërisë dhe mungesës së perspektivës. Një pjesë janë larguar me dijeninë e prindërve, të tjerë thjesht kanë ikur nga shtëpia dhe nga vendi.

Jo të gjitha historitë kanë qenë me “happy end”. “Sado që u munduam, njëri prej të rinjve përfundoi në burg. Të rriturit kriminelë e përdornin për të kryer punë, deri sa ra në rrjetin e policisë. Një tjetër nuk ishte në gjendje të vazhdonte shkollën, kështu që kur arriti moshën madhore e kthyen në Shqipëri.

Një tjetër, u kthye vetë sepse nuk duronte dot pa rrjetin social familjar. Viti 2015 dhe 2016 ka qenë shumë i vështirë për gjithë punonjësit socialë që janë kujdesur për të huajt”,-thotë Vilma, një punonjëse e organizatës AWO-s. ”Nuk kishim mundësi t’i jepnim kohën e duhur për t’u trajtuar çdo rasti, për shkak të fluksit të madh”. Atë vit që Endriti erdhi në Gjemani, azil kërkuan 36 mijë minorenë të pashoqëruar