Gazeta “AS” konfirmon zërat: Perez kërkon Masimiliano Alegrin te Reali

Masimiliano Alegri mund të jetë pasuesi i Zidane te Reali gjatë kësaj vere.  Trajneri i Juventusit, sipas presidentit Florentino Perez ka të gjitha cilësitë e duhura për t’u ulur në pankinën e “Los Blancos”-ve, më e nxehta dhe më prestigjiozja në botën e futbollit.

E përditshmja spanjolle “AS”, që di më shumë sesa të tjerë ato që ndodhin në ambientin madrilen, ka dhënë lajmin e madh. Alegri ka ritheksuar se dëshiron të qëndrojë te Juventusi, por nëse ndërhyn Reali, atëherë gjithçka mund dhe duhet të shqyrtohet.

Zidane u largua pas dy sezonesh e gjysmë në Madrid, kohë gjatë së cilës fitoi 3 trofe radhazi në Champions League. Nga ana tjetër, raporti mes Alegrit dhe Juves është i shkëlqyer, por nëse thërret Reali, trajneri livornez nuk do të mendohej dy herë përpara se ta pranonte, ndërsa në këtë drejtim as Andrea Agnelli nuk do të mund të bëhej pengesë. Ndërkohë që vendin e tij te bardhezinjtë me shumë mundësi mund ta zërë Zidane.