Edi Rama ndiqet në tre qytete nga populli protestues

Dita e sotme për Edi Ramën duhet të ishte vijimi i turit të bashkëbisedimeve në qarkun e Elbasanit. Por më shumë se premtimet e kryeministrit, vizitat kanë prodhuar lajme për protestat që i kanë bërë demokratët. Në tre qytete të Elbasan, Cërrik dhe Belsh kreu i qeverisë dhe ministrat janë pritur me tubime nga militantë dhe mbështetës të Partisë Demokratike.

Qindra qytetarë kanë zënë rrugët hyrëse të qyteteve dhe kanë tentuar të bllokojnë kalimin e kryeministrit. Forca të shumta të Gardës së Republikës, policisë lokale, por edhe të ardhur nga Tirana kanë marrë masat për të shmangur incidentet. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se për sigurinë e Edi Ramës në Elbasan janë më shumë se 800 forca policie. Megjithë numrin e lartë të efektivëve të policisë përplasjet sporadike me qytetarët protestues nuk kanë munguar. Punonjës të Gardës janë filmuar duke u konfliktuar me të rinj që mbanin parrulla kundër qeverisë dhe ministrave të kabinetit Edi Rama.

Protesta e parë u shënua paradite në Elbasan. Protestuesit u ndaluan nga policia. Ndërkohë deputeti i PS-së në këtë zonë, Taulant Balla bëri ironi duke thënë se nuk ishin më shumë se 15 persona që protestonin. Ndërkohë deputeti i PD-së, Edmond Sapho në një deklaratë për mediat akuzoi policinë për shkelje të ligjit dhe mos lejimin e qytetarëve të protestojnë.

Në mesditë, Edi Rama u prit me parrullën “Mirë se erdhe Pasha i drogës” në qytetin e Cërrikut. Policia u mundua t’i izolojë protestuesit në disa lagje të qytetit.

Kur u duk se protestat morën fund, Edi Rama lajmëroi se në orën 16:00 do të ishte në Blesh në një bashkëbisedim me qytetarët. Por edhe në këtë qytet demokratët kishin menduar qa t’a prisnin kreun e qeverisë me parrulla dhe thirrje për largimin nga pushteti.

“Poshtë pashallarët e krimit”; “Xhafaj wanted for narco-traffic” (Xhafaj i kërkuar për trafik droge); “S’ka drejtësi me krimin në qeveri”, “Rama ik”, etj, ishin disa nga parullat e protestuesve.

Protestat e Elbasanit duket se janë vetëm fillimi. Kjo skemë e PD për tubime në çdo vend ku Rama shkon dhe flet për sukseset e qeverisë do të ndiqet edhe në qytete të tjera.

VIDEO/PROTESTA NË BELSH

FOTOGALERI/PROTESTA NË ELBASAN, CËRRIK DHE BELSH