Ruçi: S’ka Kushtetutë që jep rekomandime më të mira se fëmijët

Në kuadër të ditës së fëmijëve, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, ka pritur në sallën e seancave plenare një grup fëmijësh, të cilët me çiltërsinë e tyre bënë kritika dhe dhanë sugjerime.

”Dëshiroj t’u them që në fillim që më e nderuara në detyrë është misioni im si kryetar i grupit të deputetëve “Miq të fëmijëve”. Unë i dëgjova me shumë vëmendje vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet që prezantuat përmes gjetjeve të raportit “Zëri i të rinjve të Shqipërisë” për 2017. Zakonisht ne të zgjedhurve nuk na vjen mirë kur kritikohemi, po ua them sinqerisht që u ndjeva mirë kur dëgjova ato kritika nga zëri juaj dhe çiltërsia juaj. Nuk ka Konventë e Kushtetutë në botë që të japë rekomandime e të formulojë detyrime më të mira e më të drejta se sa mesazhet që ju dhatë sot. Jeni burimi më i drejt për drejtë, më gjithëpërfshirës i së drejtës për çdo ligj që ne hartojmë”, tha Ruçi.

Ai tha se edhe përfaqësuesit e popullit kanë nevojë për mirësinë dhe dashurinë e fëmijëve. “Ne si përfaqësues të popullit kemi nevojë dhe për mirësinë, dashurinë dhe buzëqeshjen tuaj por mbi të gjitha kemi nevojë për sugjerimet tuaja, kritikat tuaja, vërejtjet dhe rekomandimet e problemeve që mbart kjo kategori shoqërore”, tha ai.