Rruga e Lumit të Vlorës – Gjiknuri: Brenda dy viteve do të jetë tërësisht e përfunduar

Brenda dy viteve rruga e Lumit të Vlorës do të jetë tërësisht e përfunduar. Kështu është shprehur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë vizitës në kantierin e rrugës së bashku me drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci dhe deputetin Vullnet Sinaj.

Sipas Gjiknurit, segmenti i parë me një gjatësi prej 23 km pritet të përfundojë në vjeshtë të këtij viti. Ndërsa, shtoi se janë drejt përfundimit edhe procedurat tenderuese edhe për dy segmentet e tjera.

“Është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme për Vlorën dhe për të gjithë Shqipërinë. Është një lidhje tjetër paralele me bregdetin e Shqipërisë dhe siç edhe u informova nga drejtori i FSHZH-së, procedurat për dy lotët e tjera janë drejt përfundimit. Do të thotë që brenda këtij viti ose maksimumi vitin tjetër do të fillojnë punimet edhe për segmentet e mbetura. Brenda dy viteve kjo rrugë do të jetë tërësisht e përfunduar”, u shpreh Gjiknuri.

Ndërkohë, Gjiknuri shtoi më tej se ky investim do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm duke sjellë një zhvillim ekonomik në të gjithë zonën.