Këshilli Kombëtar i Integrimit, Kuvendi ftesë aplikimi për 3 poste anëtarësh

Bazuar në Ligjin nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është ngritur dhe funksionon Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE), si struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publikë dhe shoqërisë civile, si dhe siguron rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian drejtohet nga Kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit dhe ka si zëvendëskryetar kryesuesin e delegacionit shqiptar në Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asociimin. Gjithashtu, në përbërje të tij si të ftuar të përhershëm, krahas titullarëve të institucioneve kryesore kushtetuese, përfaqësues nga universiteti publik dhe biznesi ka edhe tre përfaqësues nga media, të angazhuar në çështje të integrimit europian.

“Bazuar në parashikimet e Rregullores së KKIE, ftohen përfaqësuesit e medias, të angazhuar në raportimin e çështjeve të lidhura me integrimin europian, të aplikojnë pranë Sekretariatit Teknik për të marrë pjesë në takimet e KKIE si të ftuar të përhershëm, për një periudhë 2 vjeçare”- thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Të gjithë të interesuarit, për t’u bërë pjesë e këtij Këshilli, duhet të paraqesin një letër interesi,  në adresën elektronike info.kkie@parlament.al, brenda datës15 qershor 2018.

N.B: Informacion i detajuar mbi Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian mund të gjendet në faqen  web të Kuvendit https://www.parlament.al/integrimi-europian-main/kuvendi-ne-procesin-e-integrimit-europian/keshilli-kombetar-i-integrimit-europian/