Deklarata e fortë e ambasadorit italian: E dimë që ka grupe kriminale, të goditen!

Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo në një intervistë për gazetaren Ilva Tare në Ora News se grupet e mëdha kriminale duhet të goditen dhe nuk duhet të bëhet asnjë përjashtim ndaj tyre.

Cutillo: Korrupsioni nuk është fenomen vetëm i zyrtarëve por është një fenomen që shpesh është i përhapur në të gjitha institucionet shqiptare. Kjo mbase është një  trashëgimi edhe nga regjimi komunist, i një sistemi ku nevojitej të kërkoje nder për të bërë diçka. Këtu ka nevojë për një kërkesë nga shoqëria civile më shumë se nga institucionet sepse duhet të punojnë së bashku për të zhdukur këtë fenomen edhe në përmasat e tij kulturorë.

Dhe pastaj ka një luftë ndaj grupeve të mëdhenj kriminalë. E dimë që këto grupe ekzistojnë, e dimë që janë të fuqishëm, e dimë që dinë të mbrohen dhe duhet të tejkalohen këto mbrojtje. Asnjë përjashtim nuk duhet bërë në luftën kundër kriminalitetit. Koncepti i pandëshkueshmërisë nuk mund të ekzistojë në një shtet demokratik. Në këtë front shoh progres por siç thashë më parë ka gjithmonë diçka më shumë për të bërë dhe ne besojmë që Shqiëpria ëhstë në gjendje ta bëjë.

Intervista e plotë: 

Ambasador Cutillo, cili është vlerësimi juaj për marrëdhëniet historike mes dy vendeve tona dhe mes shoqërive, asaj italiane dhe shqiptare?

Cutillo: Është një histori shumë e pasur, një histori që edhe unë e kam zbuluar vetëm kur erdha këtu në Tiranë përpara 2 vitesh e gjysmë.  Është një histori që fijet e së cilët janë të lidhura në kohë. Nisin që nga antikiteti, duket sikur këputen por në të vërtetë nuk ndërpriten kurrë. Besoj se në këto thuajse 30 vjet të demokracisë, Italia dhe Shqipëria kanë bërë një copë të mirë rruge së bashku. Sot besoj se shenja më e prekshme e kësaj miqësie është prania në Itali e një komuniteti të madh shqiptarësh. Në fillim ky komunitet e pati të vështirë të integrohej por sot përfaqëson një shembull pozitiv integrimi në Itali. Po ashtu është e vërtetë se më shumë se 200 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë në Itali kanë fituar shtetësinë italiane, pra sot janë qytetarë me dy shtetësi. Shumë prej tyre kanë ndërmarrje, zhvillojnë aktivitetete prodhuese të rëndësishme dhe kjo besoj se është shenja më domethënëse e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ambasador në këto 3 dekada bashkëpunimi së bashku, mendoni se jemi afruar pak më shumë? Shqipëria tashmë është një partner, një vend mik i besuar?

Cutillo: Po, besoj se po dhe besoj  që sot mblidhemi me rastin e këtij aktiviteti të organizuar për bashkëpunimin italian. Unë jam shumë i lumtur për hapjen e festës kombëtare italiane në 2 qershor me këtë aktivitet sepse nëse ka një shprehje që përkufizon me të vërtetë marrëdhëniet në të gjitha fushat në këto 30 vjet është pikërisht “ta bëjmë sëbashku”. Në fillim, nëse kthehemi në vitet ’90, ishte një marrëdhënie e njëanshme. Shqipëria ishte një vend i varfër, në vështirësi, kishte nevojë për gjithçka. Nëse kujtojmë misionin Pelikani, që ishte një mision humanitar për të sjellë ndihma ushqimore popullit, mund të konstatojmë ndryshimin e madh që ka ndodhur. Me kalimin e kohës, kjo marrëdhënie është zhvilluar gjithmonë në një marrëdhënie e dyanshme. Duhet të them se pikërisht sot Shqipëria është një partner, jo vetëm serioz dhe i besueshëm, por thelbësor. Kur ne italianët kërkojmë anëtarësimin e Shqipërisë në Europë, e bëjmë sepse besojmë se Shqipëria mund t’i japë Europës një kontribut të madh.

Por ka ende punë për të bërë nga ana e Shqipërisë besoj, lufta ndaj korrupsionit, goditja e grupeve kriminale… A po jep ndonjë ndihmë Italia në këtë fushë?

Po, unë besoj se Italia po e bën për dy arsye. E para sepse ne duam ta ndihmojmë Shqipërinë në këtë rrugë dhe e dimë se me të drejtë në Bruksel e shohim me shqetësim të veçantë efikasitetin e luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, prandaj të ndihmojmë Shqipërinë është e rëndësishme për rrugën europiane të Shqipërisë.  Por e bëjmë edhe për një arsy egoiste, nuk ka arsye pse ta fshehim. E dimë se problemet për Shqipërinë rrezikojnë të kthehen probleme për Italinë. Kriminaliteti që vepron në Shqipëri e sheh Italianë si tregun natyral në të cilin do të veprojë lirisht prandaj kemi një interes kombëtar përpara se të kemi një interes ndërkombëtar për të përforcuar masat që Shqipëria po aplikon për luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Unë besoj që ky bashkëpunim që tashmë zgjat prej 30 vjetësh ka qenë gjithmonë intensiv por në këtë periudhë ka arritur rezultate më të mëdha se në të kaluarën, prandaj ne jemi të kënaqur për zhvillimet e fundit në Shqipëri por presim si të gjithë gjithmonë diçka më shumë

Çfarë është ajo gjëja më shumë?

Cutillo: Sipas meje ka dy aspekte të veçanta. E para ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit duke nisur nga niveli i poshtëm. Ky fenomen nuk është fenomen vetëm i zyrtarëve por është një fenomen që shpesh është i përhapur në të gjitha institucionet shqiptare. Kjo mbase është një  trashëgimi edhe nga regjimi komunist, i një sistemi ku nevojitej të kërkoje nder për të bërë diçka. Këtu ka nevojë për një kërkesë nga shoqëria civile më shumë se nga institucionet sepse duhet të punojnë së bashku për të zhdukur këtë fenomen edhe në përmasat e tij kulturorë. Dhe pastaj ka një luftë ndaj grupeve të mëdhenj kriminalë. E dimë që këto grupe ekzistojnë, e dimë që janë të fuqishëm, e dimë që dinë të mbrohen dhe duhet të tejkalohen këto mbrojtje. Asnjë përjashtim nuk duhet bërë në luftën kundër kriminalitetit. Koncepti i pandëshkueshmërisë nuk mund të ekzistojë në një shtet demokratik. Në këtë front shoh progres por siç thashë më parë ka gjithmonë diçka më shumë për të bërë dhe ne besojmë që Shqipëria është në gjendje ta bëjë.

Po për negociatat jeni optimistë?

Cutillo: Ne besojmë ende se Këshilli Europian i qershorit është ai që do të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. E dimë që jo të gjithë vendet anëtare janë të bindur. Kemi ende rreth një muaj kohë për të ndihmuar ata që kanë ende dyshime për t’i kapërcyer ato. Detyra kryesore i takon natyrisht Shqipërisë dhe e përsëris se kur them Shqipërisë, kam ndërmend sigurisht qeverinë, autoritetet duke përfshirë edhe qytetarët shqiptarë që mund të japin një kontribut në këtë çështje. Italia do të ndihmojë në këtë rrugë, do të dialogojmë me partnerët që kanë ende dyshime dhe të shpresojmë që nga tani e deri në qershor të kapërcehen. Është një sfidë, nuk është e lehtë por duam ta luajmë deri në fund

Pra ka një garanci që bashkëpunimi do të vazhdojë?

Cutillo: Ka një garanci madje unë besoj se bashkëpunimi, ashtu siç tregon aktiviteti i sotëm po hyn në një fazë të re, në një fazë pune së bashku që do të japë me siguri rezultate për të ardhmen e këtij vendi.