Veseli: Qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në fund të vitit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në fund të këtij viti.

Veseli tha se qytetarët e Kosovës e meritojnë lëvizjen e lirë.

“Ne duam të lëvizim lirshëm. Jemi pjesë e këtij kontinenti dhe do të respektojmë kornizën legale të Bashkimit Evropian. Kosovarët nuk do të kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian, por dëshirojmë të lëvizim lirshëm për të studiuar, për të shkëmbyer përvojat, mallrat me vendet e BE-së”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendi tha se Kosova është vend i lirë, ka ecur shumë përpara dhe liberalizimi i vizave do të ndodhë, raporton Telegrafi.

Veseli tha se tashmë kanë në agjendë disa vizata në vendet që kanë peshë vendimmarrëse për liberalizimin e vizave.

Ai bëri të ditur se me 7 qershor do të jenë për vizitë në Austri, po ashtu do të jenë në Francë, ndërsa janë duke punuar edhe për vizitën në Berlin.