“Po më sulmojnë”, Paloka: Gjiknuri u rendit vullnetarisht në listën e të akuzuarve

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës në turin e llogaridhënies është ndalur në Shushicë të Vlorës nga ku i është përgjigjur dhe akuzave të opozitës mbi situatën në miniera. Në fjalën e tij, Gjiknuri tha se Komisioni Evropian ka dhënë tanimë vlerësimin pozitiv për çeljen e negociatave duke e kthyer qershorin në një moment kyç. Sipas tij, duke ditur këtë situatë, opozita ka nisur një fushatë shpifjesh, sulmesh denigruese ndaj qeverisë.

“Shkojnë dhe ankohen tek të huajt. E filluan me ish Ministrin e Brendshëm, e vazhduan me Ministrin aktual të brendshëm, tani po dalin po më sulmojnë edhe mua”- tha Gjiknuri.

Pikërisht ky pohim i ministrit ka shkaktuar reagimin e Partisë Demokratike, e cila përmes nënkryetarit të saj Edi Paloka u shpreh se këtë pohim Gjiknuri e bëri jo si shkak i subkoshiencës së tij, por e renditi veten vullnetarisht tek lista e ministrave të sulmuar, pas Tahirit dhe Xhafajt.

“Nuk dihet a është subkoshienca që i flet, por sot Gjiknuri e ka renditur veten vullnetarisht pas Tahirit dhe Xhafajt. Gjatë “llogaridhënies” në Selenicë, Gjiknuri është shprehur : “Tahiri, Xhafaj dhe unë sulmohemi si njerëz me peshë në PS…” Tashmë dihet që Saimir Tahiri është i kapur nga antimafia italiane me Habilajt. Fatmir Xhafaj i kapur prej drejtësisë italiane dhe jo vetëm, me Agron Xhafajn. Po Gjiknuri ? Tik-tak…Tik-tak”- shprehet Paloka në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale.