Mungesa e punës “mbyt” zellin e të rinjve, studentët dyshues për mundësitë e punësimit

Të rinjtë shqiptarë shfaqen pesimistë për mundësitë që ju ofrohen ne tregun e punës. Sipas tyre universitetet nuk ju ofrojnë orientimin e duhur dhe e vetmja mundësi ngelen praktikat që i sigurojnë individualisht. Ndërkohë ministria e Arsimit do të miratojë këtë vit 38 programe profesionale të reja në arsimin e lartë.

Rreth 47% e të rinjve shqiptare e klasifikojnë veten si punëtorë të zellshëm, por punësimi i tyre mbetet ende sfidë. Një studim i kompanisë Deloitte rrezon perceptimin se të rinjtë kalojnë kohë nëpër kafene, por e vë theksin tek institucionet arsimore, të cilat nuk i afrojnë studentet me tregun e punës. Edhe vetë studentët shprehen për News 24 se nuk përgatiten nga Universiteti mjaftueshëm sa për të kërkuar punë, ndaj garancia për të rritur shanset për punësim mbeten praktikat individuale.

Zv/Ministri i Arsimit, Ervin Demo, teksa mori pjesë në publikimin e të dhënave, tha se Ministria do të rrisë rrisë me 200% numrin e programeve profesionale 2 vjeçare në arsimin e lartë. Kjo sipas Demos do t’i ndihmojë të rinjtë të gjejnë më lehtë një punë.

“Këtë vit jemi duke e rritur numrin e programeve profesionale dy-vjeçare në sistemin e arsimit të lartë me 200%. Kanë qenë 20 programe dhe tani janë duke miratuar rreth 38 programe të reja dy-vjeçare, për të krijuar diversitet në arsimin e lartë. Kjo e ben më të lehtë gjetjen e një vendi pune nga të rinjtë” tha Demo.
Ne studim morën pjesë rreth 1000 studente dhe të sapodiplomuar.