Mavraj sulmon shokët e ekipit: Të rinjtë s’dinë të vlerësojnë shansin që u dha Panuçi

Pas humbjes së rëndë 3-0 ndaj Kosovës, Kombëtarja po vijon përgatitjet në Zvicër për testin e radhës që do të luhet më datën 3 qershor ndaj Ukrainës. MMërgim Mavraj ka thumbuar shokët e tij të rinj të skuadrës, të cilët i cilëson fajtorë për disfatën e së martës.

Në konferencën për shtyp në Zvicër, mbrojtësi kuqezi u shpreh se lojtarët e rinj nuk po dinë ta shfrytëzojnë mundësinë që Panuçi u ka dhënë.

“Asnjëherë nuk ka qenë më e lehtë për t’u bërë lojtar i kombëtares se sa tani. Kur kam qenë unë i ri ka qenë një sakrificë e madhe për t’u ftuar, jo më për të qenë lojtar në formacionin e kombëtares. Lojtarët e rinj këtë mundësi që po ua ofron trajneri ynë tani, nuk po dinë ta vlerësojnë. Impenjimin e kanë maksimal, nuk është se mund t’i gjykosh, por është një rast shumë i madh për ta.

Ishte një ndeshje nga e cila unë mendoj që përgjegjësia është vetëm e jona. Pasi nuk kemi transmetuar në fushë atë që trajneri ka kryer gjatë seancave stërvitore. Kosova e kishte ndeshjen e jetës, ndërsa skuadra jonë kishte testin për të provuar edhe disa elementë të rinj. Sidoqoftë më duhet të them që ne mbajmë përgjegjësi të plotë. Trajnerin e mirëkuptoj për zgjedhjen e tij për të mos qenë titullar dhe e falenderoj për trajtimin e tij. Kemi përpara Ukrainën dhe do përqëndrohemi fort për të bërë një paraqitje sa më të mirë.

I kemi një borxh publikut tonë por edhe trajnerit, dhe besoj se skuadra jonë i ka kapacitetet e duhura për të reaguar shumë. Skuadra është e përqëndruar dhe kam besim se do të reagojë maksimalisht në sfidën miqësore të radhës”, u shpreh Mavraj.