Kosova dhuron spektakël dhe leksion futbolli Shqipërisë, na turpëron në “vëllazëroren” (VIDEO)

Kosova ka dhuruar spektakël në miqësoren e ashtuquajtur “vëllazërore”. Skuadra e drejtuar nga Shaland ishte e papërmbajtshme duke fituar në shifrat 3-0, dhe duke na bërë që të dukemi shumë të vegjël përballë tyre. Në fushën e lojës kemi parë një Shqipëri të lodhur, mendjemadhe, të pavendosur mirë, pa ide, pa grinte, pa kualitet. Në krahun tjetër ishte një ekip që është futur në fushë me synime të qarta, për të luajtur bukur, dhe mbi të gjitha për të fituar.

Skuadra e Shaland e nisi mjaft mirë ndeshjen duke ushtruar presion në minutat e para, ndërkohë që kuqezinjtë e Panuçit vuajnë për të ndërtuar aksione sulmuese. Në minutën e 15-të, Veseli bën një gabim fatal duke i dhuruar topin Avdijajt, i cili u vendos përballë portierit Berisha, por portieri i Shqipërisë e ndal mjaft mirë. Dominimi i ekipit të Shaland, u shpërblye në minutën e 20-të.

Arbër Zeneli mori një pasim fantastik në hyrje të zonës, dhe më pas ka mposhtur portierin Berisha, i cili nuk kishte asnjë mundësi reagimi. Shqipëria luan shumë keq, dhe në fundin e pjesës së parë, trajneri Kristian Panuçi nuk duron më duke bërë dy zëvendësime të menjëhershme. Qaka dhe Roshi dalin nga fusha, ndërkohë që në vendin e tij futen në fushë Lilaj dhe Manaj.

Fraksioni i dytë është një përsëritje e së parës. Kosova vijon të dominojë në zotërimin e topit, dhe janë shumë të shpejtë në aksionet sulmuese, duke befasuar Shqipërinë. Në minutën e 51-të Arbër Zeneli ka dhuruar spektakël në hyrje të zonës, dhe më pas ka goditur duke lënë të shtangur portierin Berisha, i cili sërish nuk kishte asnjë mundësi reagimi. Zhegrova vendos në provë portierin Berisha në minutën e 65-të, ndërkohë që një minutë më pas talenti i Kosovës hedh në zonë një krosim, i cili përfundon në rrjetë, i ndihmuar edhe nga presioni i Atdhe Nuhiut. Miqësorja kthehet në “makth” për kuqezintjë, pasi në minutën e 73-të Zhegrova nuk arrin që të mposhtë portierin Berisha, edhe pse ishte në një pozicion shumë të favorshëm. Reagimi i Shqipërisë vjen në minutën e 77-të, kur edhe bëhet goditja e parë në portë me Bekim Balaj që godet në mënyrë qendrore në portën e Ujkanit.