“Erdhi gogoli”, flet i mbijetuari i Kampit të Tepelenës: Isha 6 vjeç kur më mbyllën në birucë

Eugjen Merlika, një nga të mbijetuarit e kampit të Tepelenës, nipi i Mustafa Merlikës është rikthyer pas në kohë ku ka treguar vuajtjet gjatë regjimit komunist.

Përballë moderatores Eni Vasili në emisionin “Studio e Hapur” në “News24″ Merlika deklaroi se kampi i Tepelenës ka qenë ndër vendet më vështirët, ku kushtet sipas tij ishin të papërshkrueshme. Ai tha se 2500 të internuar në këtë kamp shkonin në një banjë. Ndërkohë, Eugjen Merlika ka ndarë disa nga momentet e vështira gjatë dasmës së tij, pa muzikë dhe pa të ftuar.

“Ne nuk kishim taksi. Se grua ime ishte rreth 20 km larg. Duhej marrë me taksi. Mezi gjeta përmes një shoku, dhe shkova në 6 e 30 të mëngjesit të merrja nuse. Erdhëm në shtëpi, pa të ftuar e pa muzikë. Nusja kishte marrë një fustan me qira”, tha ai.

I mbijetuari i Kampit të Tepelenës dhe nipi i Mustafa Krujës, Eugjen Merlika ka rrëfyer momente të ndryshme të jetës së tij në Kamp. Gjithashtu ai ka folur edhe për zërat që e konsiderojnë Mustafa Krujën si ‘tradhtar’, ndërsa tregon kontributin që ka dhënë ai për shtetin shqiptar.

Intervista:

Vasili: “Jeni nipi i Mustafa Krujës, jeni rritur në një shkollë të regjimit komunist. Në atë kohë gjyshi juaj cilësohej si tradhëtar. Kur ju ngrinin në mësim si e artikulonit?”

Eugjen Merlika: “Kur isha në klasë të 6 një shoqe klase shkruajti me shkronja të mëdha emrin Mustafa Kruja. Kur hyri mësuesi sapo e pa u vrejnt dhe pyeti kush e ka bërë këtë? E fshiu dhe më pas tha ju nuk keni pse merreni me këto punë, ju vetëm mësoni dhe kaq.”

Vasili: “Kishit ndonjë version tjetër të historisë. Kur e mësuar të vërtetën për gjyshin tuaj?”

Merlika: “E kam mësuar në maturë, kur kam qenë 15-16 vjeç. Mora një imazh tjetër nga ajo që më kishte dhënë shkolla. Të plotë e kam mësuar historinë kur pata në dorë materialet që kishte lënë trashëgimi gjyshi. Aty rashë në kontakt me veprat që ai kishte lënë si trashëgim”

Vasili: “Mustafa Kruja vazhdon të jetë një nga figurat mëtë goditura në komunizëm. Kush ishte Mustafa Kruja”

Merlika: “Ka qenë çlirimtar i pavarësisë, një njeri që është përpjekur gjithnjë për të mirën e Shqipërisë. Në fillim ka qenë nacionalist i bindur që kishte si synim zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë. Ka shkruar një fjalor të gjuhës shqipe që fatekeqësisht ka humbur, ka qenë studiues, publiçist. “

Vasili: “Dua të flas për tradhëtarin Mustafa Kruja në thonjëza”

Merlika: “Nuk njoh tradhëtar me këtë emër, njoh atdhetarë. Ai me vërte ka bashkëpunuar me Italinë, por ka punuar në favor të Shqipërisë”.

Vasili: “Ju vjen keq që rreth kësaj figure ka akoma dritëhije?”

Merlika: “Sigurisht që më vjen keq”

Vasili: “Ju jeni i mbijetuar i Kampit të Tepelenës. Ju vijnë në mendje detaje të asaj kohe?”

Merlika: Unë kam qenë i vogël kam shkuar 5 vjeç dhe kam qëndruar 2 vite. Kam qenë atje me gjyshen dhe nënën, sepse babai dhe xhaxhai ishin në burg.”

Vasili: “Çfarë kujtoni më së shumti?”

Merlika: “Më kujtohet uria, më kujtohet terrori policor. Më kanë marrë që 6 vjeç më kanë futur në birucë, vetëm sepse i gjuajta me gurë një derri të komandës. Më kanë lënë vetëm në qeli, 6 vjeç. Unë qaja, thoja erdhi gogoli gogoli. “

Vasili: “Si ishte jeta e një nxënësi nga Kruja në kampin e Tepelenës, kishit diskriminime?”

Merlika: “Nuk mbaj mend shumë gjëra, nuk mbaj mend diskriminime nga mësuesit?”

Vasili: “Si ishin netët e festave, nata e Vitit të Ri për shembull?”

Merlika: “Nuk kishte festë aty”

Vasili: “Kanë vdekur shumë fëmijë aty?”

Merlika: “Kanë vdekur shumë fëmijë, fëmijë të vegjël zakonisht. Kur prindërit kthehehshin nga puna i gjenin të vdekur”

Vasili: “A i keni takuar xhelatët e tuaj?”

Merlika: “As nuk kam pasur kuriozitet. S’kam kuriozitet të takoj kriminela?”