E BUJSHME/ Liverpuli ofron 30 milionë euro për Thomas Strakoshën

Thomas Strakosha ka zhvilluar një sezon fantastik në vitin e parë si titulluar te skuadra e Lacios. Gardiani shqiptar ka tërhequr tashmë edhe vëmendjen e klubeve të mëdha europiane. Skuadra më e interesuar është Liverpuli. Pas gafave të turpshme që bëri Loris Karius gjatë finales së Champions League por edhe pasigurisë së shfaqur nga Simon Minjolet përgjatë gjithë sezonit, kanë bërë që Liverpuli të hyjë në merkato për të gjetur një portier të denjë për të mbrojtur portën e “The Reds”.

Portieri shqiptar i Lacios është i preferuari i trajnerit Jurgen Klop aq sa mediat në Itali shkruajnë se në drejtim të Lacios ka mbërritur tashmë një ofertë prej 30 milionë eurosh nga Liverpuli për talentin e përfaqësues kuqezi.

Drejtori sportiv i bardhekaltërve Igli Tare dhe presidenti Klaudio Lotito po e marrin seriozisht në konsideratë ofertën e të kuqve dhe mund të ulen në bisedime pasi 30 milionë euro është një shifër e konsiderueshme për një portier për të cilin Lacio ka shpenzuar vetëm 75 mijë euro për ta blerë nga grekët e Panionios përpara 6 vitesh kur Strakosha ishte vetëm 17-vjeç.

Strakosha është gati të bëjë hapin e madh në karrierë, pasi nëse transferohet te Liverpuli jo vetëm që do të jetë portieri titullar i një prej klubeve më të titulluar në Angli por gjithashtu do të bëjë realitet ëndrrën e tij për të luajtur në Champions League.