“Diktator”, Macron i del në mbrojtje revistës që kritikon Erdoganin

Presidenti francez, Emmanuel Macron, u bë pjesë e një debati që pasoi daljen në treg të një reviste, në kopertinën e të cilës presidenti turk, Erdogan, etiketohej si diktator. Revista “Le Point”, me një tirazh prej 315 mijë kopje, kishte vendosur foton e Erdoganit në kopertinë, ku shkruhej: Diktatori. Sa larg do të shkojë Erdogani?

Posterat e revistës u grisën në pika të ndryshme të shitjes së gazetave. Madje edhe vetë redaksia e “Le Point”, me bazë në Paris, thotë se ka marrë kërcënime, fyerje dhe intimidime.

Franca është në mënyrë të veçantë e ndjeshme në lidhje me këtë çështje që pas sulmit të tre viteve më parë në revistën satirike “Charlie Hebdo”, ku u vranë 12 persona.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, reagoi në lidhje me ngjarjet me anë të një postimi në Tuiter. “Liria e shtypit nuk ka çmim.

Pa të, do të ishim në diktaturë”, shkroi ai mbrëmjen e së hënës. “Është e papranueshme që postera të “Le Point” po grisen dhe hidhen përtokë për arsye se bezdisen armiqtë e lirisë së shtypit në Francë dhe jashtë saj”, shkroi ai.

Presidenti francez dhe Erdogan kanë qenë në kontakt të rregullt që prej zgjedhjes së Macron-it vitin e kaluar.

Sipas njoftimeve zyrtare, ata kanë zhvilluar 7 biseda telefonike, e fundit ajo e datës 14 prill, pasi Franca iu bashkua operacionit të përbashkët ushtarak në Siri krah SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe.

Erdogan e drejton Turqinë prej 15 vitesh dhe kërkon një mandat tjetër, që do t’i japë akoma më shumë pushtet, pas referendumit të 2017-s që e bëri të mundur këtë.

Nëse Erdogan dikur shihej si garantues i një qeverie të qëndrueshme dhe miqësore ndaj tregut, investitorët tani shqetësohen se ai do të marrë kontrollin e ekonomisë.

Kjo është arsyeja për të cilën monedha vendase ka rënë 11 për qind në muajin maj. Erdogan thotë se do t’i ashpërsojë politikat ekonomike nëse fiton zgjedhjet e muajit të ardhshëm. /Bloomberg-TemA TV/