Rihapet dosja e Azem Hajdarit? E bija zihet ngushtë: Nuk dua…

Pas 19 vitesh, Izet Haxhia rikthehet në Tiranë për të vuajtur dënimin me 25 vite burg që ka marrë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar për bashkëpunim në vrasjen e deputetit Azem Hajdari. Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit është zënë ngushtë dhe nuk ka pranuar të komentojë lidhur me ekstradimin e Haxhisë. “Vije veten në pozicionin tim”,-i tha ajo gazetares Dajana Shabani e ftuar sot në mëngjes në emisionin “Ditë e Re” në Ora News. ”Nuk kam dëshirë të përgjigjem. Vije veten tënde në vendim tim. Është një gjë që unë për momentin jam e fokusuar në një gjë tjetër”.

Por çfarë mendon Rudina Hajdari për rihapjen e dosjes së vrasjes së babait të saj?

”Është diçka që unë nuk kam dëshirë të flas. Ti je gazetare, bën pyetjet dhe nuk shikon anën emocionale dhe sa mund të ndikojë. Por ajo që unë dua, është që Shqipëria të bëhet më mirë. Kjo është dëshira ime më e madhe, sepse mund të kesh shumë dëshira. Ajo ëndërr e atij u ndërpre. Ky është misioni im, të vazhdoj ëndrrën e babait”,-tha ajo.

Pak ditë më parë u ekstradua nga Turqia, Izet Haxhia i dënuar me vendim gjykate me 25 vjet burg si pjesëmarrës në vrasjen e deputetit demokrat. Haxhia ka mohuar një akuzë të tillë, thotë se ndaj tij është bërë një gjyq i padrejtë dhe në mungesë dhe ka kërkuar rihapjen e dosjes.