“Politika s’duhet ta na kthejë në burra”, Doda debate me Gjoshën

“Gruaja në politikën e vështirë shqiptare” ishte në fokus të emisionit të sotëm “Studio e Hapur” në News24. Deputetja e LSI dhe ish-ministrja Klajda Gjosha tha se gratë nuk duhet t’i ndryshojë politika dhe të ‘shndërrohen’ në burra duke u bërë agresive.

“Ditën e parë të parlamentit thashë unë çfarë bëj këtu. Një nga arsyet pse unë jam në politikë është që unë të jap kontributin tim dhe të mos më ndryshojë politika. Politika nuk duhet të të kthejë në një burrë, apo të të bëjë agresive”- tha Gjosha.

Por në këto momente ka ndërhyrë ish deputetja Mesila Doda, që i ka kujtuar Gjoshës çizmen që kryetarja e LSI Monika Kryemadhi i hodhi në Kuvend kryeministrit Rama në shenje proteste dhe revolte. Gjosha tha se personalisht ka mënyrën e saj të të bërit politikë.

“Unë kam mënyrën time të të bërit politikë. Unë jam ndeshur edhe me çështjen e moshës kur isha vetëm 30 vjeç ministre. Ka qenë shumë e vështirë të bindja edhe ndërkombëtaret”- ka thënë deputetja e LSI.