Zbulohen arsyet se përse Ronaldo kërkon të largohet nga Reali

Kristiano Ronaldo është i bindur se do të largohet nga “Santiago Bernabeu” këtë verë. Pas përfundimit të ndeshjes finale të fituar mbrëmë ndaj Liverpulit si dhe në mëngjesin e sotëm, ai ka konfirmuar se ka ardhur momenti që të largohet.

Mediat spanjolle shkruajnë se një ndër shkaqet kryesore që çuan 33-vjeçarin të marrë këtë vendim ishte interesi i madh i madrilenëve për Nejmar. Mirëpo, e përditshmja spanjolle “Mundo Deportivo” ka renditur edhe disa arsye të tjera që kanë nxitur largimin e pesë herë triumfuesit të “Topit të Artë” nga 13 herë kampionët e Champions League.

Rritja e pagës

Presidenti Perez i pati premtuar Ronaldos se do t’i rriste pagën pas finales së Champions League në “Cardiff”, ku ylli portugez ishte i jashtëzakonshëm. Por, që nga muaji prill kreu i klubit spanjoll nuk ka bërë asnjë lëvizje kundrejt këtij rasti.

Nejmar

Thashethemet e vazhdueshme në lidhje me transferimin e Nejmar te Real Madrid nuk janë pëlqyer edhe aq shumë nga Ronaldo. 33-vjeçari ka mbetur paksa i zhgënjyer nga presidenti Perez pas deklaratave të shumta lëvduese që ka bërë për brazilianin.

Çështja në gjykatë

Çështja e evazionit fiskal e ka mërzitur së tepërmi Ronaldon. Ai e ka pranuar edhe vetë pak muaj më parë se do të dëshironte të kthehej në Angli, pasi atje nuk ka pasur asnjëherë probleme me ligjin.