Tahiri kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, reagon ambasadori Lu: Jo presione

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka kërkuar heqjen e masës “arrest shtëpie” dhënë Gjykata e krimeve të Renda.

I pyetur nga “Balkanweb” për seancën që pritet të mbahet nesër në Gjyaktën e Apelit, ambasadori amerikan Donald Lu tha se vendimi duhet të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione.

“Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe rryshfete që u janë ofruar gjykatësve.

Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”- ka thënë Donald Lu.

Kujtojmë se Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar më 12 maj 2018, masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të akuzuar si të përfshirë në trafik droge me grupin Habilaj. Vendimi i gjykatës urdhëron Tahirin të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në Tiranë, tek Rruga “Kodra e Diellit”.