Juventus kërkon liderin e mbrojtjes së Atletiko Madrid

Juventusi është në kërkim të një mbrojtësi me eksperiencë për sezonin e ri. Emri më i fundit që del në skenë është Diego Godin. Benatia nuk ka bindur plotësisht, ndërsa Kaldara është një lojtar i ri, të cilit nuk mund t’i besohet plotësisht projekti për të synuar Championsin.

Masimiliano Alegri duhet të bëjë llogaritë mirë edhe me moshën e Barzajlit dhe Kielint, të cilët nuk ofrojnë garanci për të mbajtur peshën e sezonit. Pikërisht për këtë arsye, bardhezinjtë kanë piketuar uruguaianin 32-vjeçar si personin e duhur për të sjellë cilësi dhe eksperiencë në mbrojtjen e Juventusit.

Kontrata e Godin me Atletikon e Madridit përfundon sezonin e ardhshëm, ndërsa deri tani në drejtim të uruguaianit nuk ka ardhur asnjë ofertë për të rinovuar.