Balerina e njohur surprizon të atin: Pa ty nuk do të isha kjo që jam sot

Balerina e njohur e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Lori Bala, surprizoi mbrëmë babain e saj në programin “Dua të të bëj të lumtur”.

Bukuroshja bionde i shprehu mirënjohjen të atit për gjithë talentin që kishte kultivuar tek ajo dhe për suksesin që ka arritur.

Babai i Lorit kishte dje 70-vjetorin e lindjes dhe për këtë arsye ajo e ftoi të bënin një vals së bashku pasi dhe i ati kishte ëndërruar dikur të bëhej balerin.

Lori rrëfeu se për shkak të një dëmtimi, ëndrra e Xhevdetit ishte ndërprerë, por ia kishte transmetuar tek e bija gjithë ëndrrën e tij dhe i kishte qëndruar pranë që ajo të bëhet  balerina e njohur që është sot.

E emocionuar dhe e përlotur, Lori iu drejtua babait të saj me këto fjalë:

Më ke qëndruar gjithmonë pranë, më ke bërë gjithmonë të lumtur. Sot mendova të të bëj unë të lumtur, meqë ti ke 70-vjetorin e lindjes. Të faleminderit që ekziston. Ti gjithmonë do të jesh mbreti im dhe dua të them që do të ta kushtoj ty çdo hap që do të hedh deri ditën e fundit, sepse pa ty nuk do të isha kjo që jam sot”.

Xhevdeti u shpreh duke thënë se Lori ka qenë gjithmonë një fëmijë i shkathët dhe tepër e talentuar. Gjithashtu ai shtoi që i kishte qëndruar pranë në çdo moment sepse ky profesion kërkonte tepër punë dhe përkushtim.