Mezani “kërcënon” Skënderbeun: S’kemi presion, shanset 50 me 50

Trajneri i Laçit, Gentian Mezani duke folur para finales së Kupës së Shqipërisë që do të luhet nesër ndaj Skënderbeut ka hequr presionin ndaj lojtarëve. Ai është shprehur se të dyja skuadra kanë të njëjtat shanse.

“Do të ishte më e vështirë, nëse do të kishim presionin e kualifikimit për në Europë. Këtë objektiv e kemi siguruar tashmë përmes kampionatit. Finalja e Kupës do të jetë e vështirë, sepse luajmë ndaj Skënderbeut kampion.

Megjithatë, jemi të qetë. Të dyja skuadrat kanë të njëjtën mundësi për ta fituar trofeun, pasi është një ndeshje e vetme. E përsëris, nuk kemi presion, por vetëm emocionet e një finaleje. Personalisht, uroj të fitojë më i miri. Mundësitë janë 50 me 50. Ne kemi treguar që jemi skuadër, duke përmbushur objektivat që kemi pasur.

Kemi bërë shumë mirë deri tani dhe shpresoj ta mbyllim sezonin me një trofe, duke fituar Kupën e Shqipërisë. Jam ndër trajnerët më të ri në Superiore. Vjet kam qenë i Flamurtarit, por nuk kam pasur besim atje, ndërsa Laska më ka besuar. Duhet që jo vetëm te Laçi, por në përgjithësi, t’u jepet besim trajnerëve të rinj”, ka thënë Mezani.