“Më hoqën nga puna se isha i PD”, Rama sfidon qytetarin: Nxirri provat

Gjatë turit të llogaridhënies ditën e sotme në Berat, kryeministri i vendit Edi Rama është përballur me disa nga shqetësimet dhe ankesat e qytetarëve.

Një nga qytetarët i ka kërkuar ndihmë ekonomike për të shkolluar të bijen, pasi para tre vitesh e kanë hequr nga puna me pretendimin se ishte i PD.

Qytetari: Më hoqën nga puna se “nuk je i joni se të ka futur PD në punë”, vajza ime është nxënëse shumë e mirë, dhe do të vazhdojë shkollën, por familja ime nuk mundet pasi siç ju thash më keni larguar nga puna, ça ndihme mund të marrë familja ime në këtë rast? Kam qenë në administratë, në zyrën e IT, motivi ka qenë i thjeshtë, të ka futur  PD në punë.

Rama: Së pari më vjen keq nëse është e vërteta kështu. Problemi i trajtimit të pushtetit si një instrument për të uzurpuar në mënyrë partiake administratën, nuk është një problem që e kanë të tjerët dhe nuk e ka PS,  edhe PS ka qenë dhe është e prekur nga ky fenomen mizerabël. Edhe sot këta që kam në krah kur unë them që punës duhet ti gjejmë njeriun, këta mendojnë se e bëj vetëm për televizion. Nëse ke provë për këtë që thua, do kthehesh në punë ditën e hënë. Ne nuk mund ti ndajmë njerëzit në tanët dhe të atyre. maksimumi ditën e mërkurë ti do të jesh në punë, nëse kjo që the është e vërtetë.