Rrëfimi i Grezdës: E shoh veten në Gjermani, ja problemi kryesor në Kombëtare

Eros Grezda është një ndër pikat më të forta të Kombëtares sonë në ndeshjet e fundit nën drejtimin e trajnerit Kristian Panuçi. Strategu italian e ka aktivizuar në vazhdimësi, duke i dhënë besim, i cili në fakt i është shpërbluer nga mesfushori me tipare sulmuese. Së fundmi ai ka dhënë një intervistë për “Supersport”, ku ka folur për aventurën te Osijeku, dëshirat e tij, disa sekrete të jetës së përditshme, dhe sigurisht edhe për të ardhmen.

“Kampionati kroat ishte një hap i qëlluar për karrierën time pasi dua të zhvilloj shumë ndeshje dhe kampionati kroat për të rinj është shumë i mirë. Është hap i suksesshëm pasi kam luajtur të gjitha ndeshjet. Te Osijeku i dinin cilësitë e mia pasi kam luajtur 4 herë në atë stadium. Drejtuesit dhe fansat më pritën shumë mirë dhe jam i kënaqur. Pika më e fortë e imja është dueli një për një me mbrojtësin dhe ndihem i pakapshëm. Më i dobët mendoj se jam në lojë në ajër. Shokët e skuadrës dhe trajnerin i respektoj. Jap maksimumin në fushë dhe ma kthejnë me të njëjtën monedhë.

Kthesa ime në karrierë janë ndeshjet me Kombëtaren. Me ardhjen e Panuçit mu dha mundësia të luaja me Kombëtaren. Jemi kombëtare me trajner të ri dhe jemi të uritur për sukses. Problemi i Kombëtares? Na mungojnë minutat në këmbë pasi lojtarët luajnë pak me skuadrat e tyre por kemi një skuadër cilësore. Me Izraelin kemi luajtur dhe e njohim ndërsa Skocinë nuk e njohim shumë dhe e dimë që është skuadër me shumë kualitet por ne do mundohemi të japim dhe të marrim më të mirën nga këto ndeshje.

Karriera? Kam kaluar një fazë të vështirë si fëmijë dhe gjithmonë kam pasur ëndrra të mëdha. Kam ndërruar shumë vende dhe klube deri sa arrita një moshë që të filloja karrierën time me një ligë profesionale. Zgjedhja e Kombëtares? Unë jam nga Gjakova dhe gjakovarët janë tifozë shumë të flakët të Shqipërisë. Kurrë nuk kam pasur dilema por kam pritur vetëm, të më vijë ftesa nga kombëtarja shqiptare.

Festa e golit me Panuçin? Nuk e kisha menduar por në atë moment mendova se ai është njeriu që më dha dorën në Kombëtare. Ai është shumë profesionist dhe nuk na lë të hamë ëmbëlsira. Me Roshin, Balën dhe Latifin jam më i lidhur megjithëse shkojmë mirë me të gjithë. E ardhmja? Kam pasur shumë interesime dhe më kanë lidhur me shumë klube por në fakt ende jam lojtar i Osijekut dhe më pas do të vendos. Nuk dua të bëj një hap të gabuar dhe dua të shkoj në një kampionat që më përshtatet. E shoh veten shumë mirë në kampionatin gjerman pasi jam lojtar i shpejtë dhe më tërheq më shumë. Më pëlqen edhe kampionati anglez e italian. Shoh kampionatin spanjoll dhe jam një tifoz i Real Madridit dhe jam i sigurt që fitojmë titullin e 13 të Ligës së Kampionëve. “Topin e Artë” mendoj se e fiton Ronaldo.

Muzika e preferuar? Çdo lojtar e ka botën e vet dhe ka nevojë për motivim për çdo ndeshje. Më pëlqejnë këngët latine dhe këngëtari që dëgjoj më shumë është Maluma. Veshja? Shpenzoj pak por jam i thjeshtë. Jam i përkushtuar dhe kam nevojë të dukem mirë por nuk i shoh firmat shumë. Nëse s’do vazhdonte si futbollist? Duke menduar se gjithmonë kam pasur dëshirë makinat, mendoj se do merresha me makina”, u shpreh Eros Grezda.