Gjosha sqaron lojën e Ramës, si pengesë për çeljen e negociatave

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, nuk mundi të fliste në kuvend, por qëndrimin e saj e dha në facebook. Sipas saj, parlamentit i serviret fshehtazi dhe pa asnjë dakortësi, projekt rezoluta e integrimit. Gjosha e quan të pafalshme të luash me të ardhmen europiane të qytetarëve.

”Projektrezoluta e integrimit nuk mund të jetë një produkt kontrabandë që nuk kryen minimumi rrugën institucionale për të qënë në rendin e ditës! Asnjë diskutim nuk është kryer as në Komisionin e Integrimit Europian, as në Komisionin e Politikës së Jashtme dhe mbi të gjitha anashkalohet hallka më e rëndësishme konsultative, siç është Këshilli Kombëtar i Integrimit”,-shkruan Gjosha.

Duke thënë se opozita nuk do të refuzonte të ishte pjesë e një dakordësie, ish-ministrja shton se një rezolutë e njëanshme nuk i shërben askujt.

”Një rezolutë e njëanshme nuk i shërben askujt dhe aq më pak të presësh që ky do të jetë një dokument i suksesshëm. Askush nga ne nuk do të refuzonte asnjëherë të ishte pjesë e një dakordësie të përbashkët për integrimin, por kur mazhorancës i mungon dëshira dhe vullneti i mirë, opozita e ka të pamundur të jetë pjesë e saj”,-shton më tej Gjosha.

Në fund, qëndrimin e saj ish-ministrja e Integrimit e mbyll me fjalët se qeveria është pengesa e madhe e çeljes së negociatave të integrimit.

”Megjithatë çfarëdo të jetë shkruar në atë dokument që është sot pjesë e rendit të ditës të pa dakordësuar në parlament, një gjë është e sigurtë, pengesa më e madhe për çeljen e negociatave të Shqipërisë vazhdon të mbetet paaftësia e qeverisë për të qeverisur vendin dhe sistemi autoritar që është instaluar në të”.

R.Sh /Koha Jonë/