Gabimet në strategjitë për integrimin e Shqipërisë në BE

Nga Artan Fuga – Sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku ishte vendosur si agjendë edhe paraqitja e konsideratave mbi raportin e Komisionit të Brukselit mbi negociatat mbi Shqipërinë, zyrtarisht u deklarua se politika e jashtme e Shqipërisë është vendosur në të njëjtën linjë me atë të Bashkimit Europian.

Më lindi pyetja: A ka një politikë të jashtme të Bashkimit Europian në kuptimin e një politike të jashtme që konfigurohet si politikë e përbashkët e të gjitha vendeve që bëjnë pjesë në të?

Pa mohuar mjaft unitete politikash dhe qendrime konvergjente, nuk mund të mohohet se vende të mëdhenj e të vegjël që bëjnë pjesë në Bashkimin Europian kanë midis tyre edhe qendrime të ndryshme.

Çfarë do të thotë kjo formulë e diplomacisë shqiptare? Që kur ka dallime madje edhe kundërshti ndaj politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve që i japin tonin politikave të BE, ne marrim apriori anën e BE kundër ShBA?

Ku qenka shkruar kjo në Kushtetutën e Shqipërisë? Ku është marrë ky vendim kaq i rëndësishëm qeveritar? Aq më shumë si një apriori dhe jo si rezultat i reflektimeve të rasteve njeri pas tjetrit.

A nuk do të ishte më mirë që ne të ishim besnikë të interesave të Shqipërisë si vend dhe si komb, pra edhe si vend që dëshiron të integrohet në BE, por edhe si vend i NATO-s, edhe si shtet që përfiton thelbësisht nga politika e jashtme e SHBA?

Mua më duket se pavarësisht që këto vite Shqipëria është orientuar drejt kampit të demokracive perëndimore, politika shqiptare nuk ka arritur të gjejë koherencën reale, pragmatike, analitike për t’u orientuar midis strategjive globale çka reflektohet edhe në qendrimet e sotme në Kuvendine Shqipërisë.

Rasti i sotëm e dëshmoi këtë.

Pastaj për problemet e mëdha globale, përpara të cilave ne si vend jemi shumë i vogël të pozicionohemi, një modesti qendrimesh dhe një farë neutraliteti, do të ishin të bekuar kur bëhet fjalë për kontradikta mes aleatëve tanë.

Veç faktorit gjeopolitik kemi mbetur në vend dhe në aspektin kulturor. Ne ende nuk kemi pranuar se një komb emancipohet në rrugë e sipër, dhe nuk e ndalon procesin e emancipimit sado rrënjë të lashta të ketë. Ende nuk është pranuar se në origjinat tona ne kemi influencat e ndryshme greko-romake që qëndrojnë edhe në origjinat e identitetit europian. Kjo vjen sepse ende rolin që ka luajtur feja në ngjarjet tona historike dhe në psiqikën tonë kombëtare, e kemi pasur vështirë ta rivlerësojmë. Po ashtu kemi injoruar të gjitha ngjashmëritë midis karakteristikave të historisë sonë edhe asaj europiane sakohë ende Kanunin e konsiderojnë kulturë homocidiste dhe kemi injoruar krejt kulturën e fisnikëve shqiptarë deri në daljen e vendit nga Mesjeta. Ne nuk kemi politika kulturore europianiste që ta afronin opinionin publik dhe audiencat tona drejt muzikës, letërsisë, arteve pamore, kinematografisë, poezisë, filozofisë europiane.

Dhe mbi të gjitha politika nuk ka kuptuar atë që kuptuan qindramijra shqiptarë të thjeshtë që u integruan individualisht dhe familjarisht në zemër të Europës. Ata kuptuan që integrimi në BE nuk mund të bëhej për “sytë tanë të bukur”. Europa të pranon, sikurse çdo vend, nëse i kërkon, por edhe i tregon sa çfarë mund t’i japësh. Këta emigrantë pranuan të sakrifikojnë duke dhënë me punën dhe sakrificat e tyre për të marrë pastaj për vete dhe fëmijët e tyre një jetë shumë më dinjitoze sesa në Shqipëri.

Kurse në strategjitë tona diskursive dhe politike ne ende kërkojmë, dhe vetëm kërkojmë se çfarë do të na japi Europa. Kurse çështja duhet kapur ndryshe. Përse ne mund t’i vlejmë Europës? Të tregojmë e të organizohemi për të kuptuar se Europa nuk është parajsa e premtuar, por një projekt ku të gjithë kombet kontribuojnë. Ne jemi futur në rolin e zogut të dallandyshes që pret në fole që “mamaja” të vijë ta ushqejë.

Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë fatale.

Nuk mund t’i shesim Europës pozitën tonë gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Ne atë e kemi integruar tashmë duke hyrë në NATO. Prandaj, nuk vlen si argument.

E më në fund, pozicionohemi keq ndaj procesit integrues europian sepse përpara sesa të vlerësojmë vlerat europiane, kemi munguar të respektojmë në masën e duhur, minimale së paku, qytetarin shqiptar.

Ne kemi një ligjë elektorale që na pengon të votojmê lirisht.
Ne nuk kemi zgjidhur problemin e pronës.
Ne nuk kemi një burokraci, pra një nëpunësi asnjanëse, në shërbim të qytetarit.
Ne kemi të inkriminuar ekonominë ose joformale.
Qytetari shqiptar nuk ka të drejtën e aksionariatit masiv duke kaluar nga bursa.
Ne nuk kemi sindikata që të mbrojnë punën sikurse ka e gjithë Europa.
Institucionet publike shqiptare si universitetet, Akademia e Shkencave, Radiotelevizioni shqiptar, Teatri Kombëtar, i Operas, institutet shkencore, etj., sundohen nga ligje krejt të pagjetura që nuk kanë asnjë lidhje me modelet europiane.
Demokracia lokale te ne është në nivelin që politika qendrore sundon këshillat bashkiake.
Transparenca për punët dhe politikat publike është për të vendosur duart në kokë.

Sepse të gjitha këto janë konsideruara jo të pajtueshme me dinjitetin e shqiptarit. U duken si të tepërta për shqiptarin.

Dhe, poqese nuk respekton veten, si do të marri tjetri në konsideratë?

Ja përse, mendoj, kemi ngecur në rrugën tonë. Të gjitha pretekstet se gjoja nuk hapen negociatat sepse është Bashkimi Europian që nuk ka fuqi dhe energji të zgjerohet, se nuk do Presidenti Makron, etj., janë përralla me mbret. Për ne marrëdhënia me Europën është dhe ka qenë thjesht një propagandë elektorale e politikanëve të ndryshëm. Pa strategji të mirëfilltë.

Poqese ne do t’i sillnim BE energji të reja, përse ai do të na konsdieronte ne si një barrë e re mbi supet e veta, dhe jo një shtysë e re përpara për të arritur objektivat e veta?

Pra, në çdo rast jemi ne, si komb e si politikë, që nuk jemi pozicionuar si duhet.

Përse?
1. Pa një strategji konvergjente në politikën e jashtme sikurse u vu re sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku kaosi u shfaq hapur.
2. Pa një orientim kulturor konvergjent me identitetin tonë kulturor drejt një universi të përbashkët vlerash europiane.
3. Me qendrim parazitar dhe pritës dhuratash, dhe jo me një politikë afatgjatë të rolit të Shqipërisë në Europë për aq sa i takon dhe mund të bëjë.
4. Sepse nuk respektohet qytetari shqiptar.