Pamjet e arratisjes spektakolare nga Gjykata e Vlorës (VIDEO)

Një rast i paprecedentë ka ndodhur në Vlorë. Një i paraburgosur është arratisur nga Gjykata e Vlorës, në prani të forcave policore dhe trupës së gjyqtarëve. Mikel Kasa, kishte sot gjyqin, por sapo ka dëgjuar vendimin e trupit gjykues ka kapërcyer tavolinat duke ia mbathur me vrap atleti nga ambientet e Gjykatës së Vlorës.

Kasa i ka shpëtuar bluve në momentin kur gjykatësi, Skënder Haluci, ka komunikuar dënimin ndaj tij me 3.4 vite burg, sepse përfitoi nga gjykimi i shkurtuar për shkak të qëndrimit të paraburgim. Atij i janë hequr prangat nga policia pas njohjes me dënimin, por pikërisht ky ka qenë momenti që ka sjellë arratisjen.

Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet pas arratisjes dhe mësohet se janë shoqëruar tre policë të burgjeve. Tre punonësit e policisë së burgjeve janë shoqëruar në komisariat lidhur me arratisjen e Mikel Kasës, sapo këtij të fundit iu komunikua vendimi i dënimit nga gjyqtari i Gjykatës së Vlorës. Tre punonjësit e burgjeve kanë pasur detyrë të shoqëronin të arrestuarin. Mësohet se dyert e gjykatës kanë qenë të hapura, çka ka ndihmuar 28-vjeçarin të realizojë planin e tij. Policia ka zbarkuar në terren me forca të shtuara për prangosjen e Mikel Kasës.

Kasa akuzohet për ”shtrëngimi me anë të kanosjes” ose ”dhunës për dhënien e pasurisë”. Në video duken efektivët e policisë si dhe disa punonjës të tjerë nga stafi i administratës së gjykatës që vihen në ndjekje të të riut. Një nga personat që e ka ndjekur ka qenë edhe shoferi i gjykatës.

Kryetari i kësaj gjykate, njëkohësisht dhe gjyqtari i çështjes së Kasajt, ku u dha vendimi, Skënder Haluci thotë se i ka kërkuar vazhdimisht KLD-së të merren masa.

E kam kërkuar vazhdimisht dhe e kërkoj me forcë, dje ka qenë hera e fundit që kam marrë në telefon KLD, gjykata jonë është jashtë çdo lloj parametri sigurie, delegohen gjyqtarë në Sarandë, nuk ka asnjë mjet transporti. Dje u kam deklaruar KLD dhe zyrës së administrimit të buxhetit gjyqësor. Nuk mund të shkojnë gjyqtarët me furgonat e linjave pa asnjë lloj sigurie duke pasur në gjykim çështje të rënda penale”, – tha Haluci.

Siguria dhe mbrojtja e jetës së gjyqtarëve ka qenë kërkesa tjetër e vazhdueshme e Halucit, prej katër vitesh në këtë detyre. “Kërkojmë autoriteteve shqiptare të marrin masa për mbrojtjen e jetës së gjyqtarëve”, tha ai.