Bypass i Tepelenës, Gjiknuri: Investimi do ndikojë në punësim

Në kuadër të turit të llogaridhënies publike të qeverisë “Puna për Shqipërinë që Duam”, ministrat Damian Gjiknuri dhe Niko Peleshi zhvilluan një dëgjesë publike me banorë të Tepelenës.

Në fjalën e tij, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal tek projektet e investimeve në rrjetin rrugor duke ju referuar konkretisht Bypass-it të Tepelenës që fillon ndërtimin brenda vjeshtës dhe rrugës Kardhiq-Delvinë.

Disa angazhime që i kemi marrë për Qarkun e Gjirokastrës dhe për popullin e Tepelenës do ti bëjmë realitet. Këtu janë bërë shumë investime, Tepelena është transformuar. Kemi hapur një procedurë edhe për të zgjidhur bypassin e Tepelenës, do jetë një investim goxha i madh që do krijojë mundësi edhe për punë këtu në zonën e Tepelenës. Kompanitë në fund të fundit do marrin edhe njerëz këtu apo do jenë shërbime në funksion të këtyre veprave. Janë 18 milion euro investim për këtë vepër. Shumë shpejt do të fillojmë edhe rrugën Kardhiq-Delvinë. Pra, edhe kjo do te jetë një mundësi e mirë për njerëzit këtu që të komunikojnë ndërsa rritja e lëvizjes në drejtim të Sarandës patjetër do të sjellë një zhvillim ekonomik për atë zonë. Impakti ekonomik do të shpërndahet kudo”, u shpreh Gjiknuri.

Ndërkaq, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u shpreh optimist për ecurinë e skemave të mbështetjes për fermerët e Qarkut Gjirokastër.

“Nga qarku i Gjirokastrës, me përjashtim të ujitjes me pika ku ne pamë se kishte një interes jashtëzakonisht të madh dhe herën tjetër do ti rrisim fondet, në të gjithë skemat e tjera fituan të gjithë ata që aplikuan”, theksoi Peleshi.

Më tej ai u ndal edhe tek reformimi i shërbimit veterinar dhe projektligji që po bëhet gati për të kaluar në Parlament.

“Ne tani kemi bërë gati një ligj, dhe besoj brenda Korrikut do ta çojmë në Parlament për reformimin e shërbimit veterinar. Me dy fjalë, ky ligj korrigjon dy gjëra, e para shmang atë amullinë e shërbimeve veterinare dhe të veterinerëve, se sot kemi veterinerë bashkie, veterinerë të AKU-së, veterinerë të shërbimit rajonal të drejtorisë së bujqësisë, kemi klinika veterinare kemi veterinerë autonom. Secili nuk di se ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia, shpesh herë një punë iu takon të dyve ta bëjnë dhe se bën askush. Me këtë ndryshim, ne po ia japim të gjithë kontrollin një institucioni. Nuk do ketë më veterinerë të bashkisë, Bashkia nuk do merret me shërbimin veterinar. AKU do të bëjë kontrollin nga ferma e deri në dyqan, në tavolinë. Ndërkohë shërbimi veterinar synon të ketë për çdo njësi administrative, ish-komunë, të ketë të paktën një veteriner”, nënvizoi Peleshi.

Ndërkaq, ai tha se qeveria po mbështet edhe nxitjen e agroturizmit sepse po u hap një agroturizëm do të thotë, njëstrukturë me 10 apo 15 dhoma pranë një ferme blegtorale apo bujqësore çka ndikon në punësimin e njerëzve por mbi të gjitha mban edhe të gjithë fermerët me punë.