Serbia, Turqia dhe Rusia – kambanat e alarmit për Evropën

Nga Arbana Xharra & Alon Ben-Meir

New York, 22. maj – Gjersa BE përpiqet të rris ndikimin në Ballkan, Rusia dhe Turqia kanë përforcuar zellshëm lidhjet e tyre në rajon. Intensifikimi i i interesit të BE-së për pjesën e saj jugore u provokua nga frika për rritjen e shtuar të ndikimit të Moskës në Ballkan. Edhepse aleati më besnik dhe i afërt i Rusisë mbetet Serbia, nuk është fuqia e vetme me histori të gjatë në Ballkan: Turqia është poashtu njëra nga fuqitë e kategorisë së rëndë që fiton përkrahjen e zyrtarëve të korruptuar të Gadishullit. Ashtu si Rusia edhe Turqia hynë në projekte të mëdha me rëndësi kombëtare të këtyre vende, me synimin që të ketë ndikimin sa më të madh ekonomik e politik në tregun financiar.

Erdogani, për të demonstruar angazhimin e tij ndaj Serbisë, në një konferencë shtypi, të mbajtur me 7 maj në Ankara, në prezencë të kryetarit serb Aleksandër Vučić tha: «Objektivi ynë për vitin 2018 është 2 miliardë, për më gjatë 5 miliardë dollarë. Ndër projektet më të mëdha është auto-udha Beograd – Sarajevë, e cila do të përforcojë lidhjet ekonomike në rajon». Vučić iu falënderua Erdoganit për «stabilizimin e Gadishullit», duke nënvizuar se «Turqia është forca më e madhe, vendi më i fortë në Ballkan».

Në Samitin e posambajtur në Bullgari, më 17 maj, krerët europianë u shprehën të brengosur për ndikimin e Turqisë dhe Rusisë në Ballkan. Kjo për shkak se perëndimorët e dinë qëndrimin e Ankarasë, e cila beson Ballkani të jetë pjesë e ish Perandorisë Osmane. Në fakt, Erdogan qëmoti ka bërë të qartë këtë qëndrim të tij të paskrupullt kur theksoi se: «Turqia do bëhet aq e fuqishme dhe me ndikim sa dikur edhe Perandoria Osmane në zenitin e saj».

Rusia e konsideron Serbinë aleatin e saj më të besueshëm në Europë, prandaj edhe investon më së shumti aty. Veçanërisht në sektorin e energjetikës. Vučić edhekur e pranon që merr përkrahjen më të rëndësishme nga Putin, ai paralelisht forcon lidhjet e tij me Turqinë. Përkundër kësaj gare për ndikim në Serbi, Rusia dhe Turqia bashkëpunojnë në këtë drejtim si opozitë e përbashkët kundër angazhimit të gjerë e të përhershëm të BE-së në Ballkan.

Shihet sheshazi se Vučić rri ulur në dy karrige; duke kërkuar aderimin në BE dhe duke ndërtuar marrëdhënie trilaterale me Rusinë dhe Turqinë., kështu duke provokuar drejtpërsëdrejti vlerat dhe interesat e perëndimit. Megjithatë Vučić nuk do ia dalë të vallëzojë njëkohësisht në të gjitha anët dhe me gjitha palët. Bashkimi i tij me lidhjen anti-perëndimore tashmë ka shkaktuar alarmin në Bashkimin Europian. Kryetari francez Emanuel Macron vuri qartë që të dyja, Moskën dhe Ankaranë në të njëjtën dritë, kur tha se «nuk dëshiron që Ballkani të kthehet nën Turqi apo Rusi».

Bashkimi Europian vazhdon të mbetet partneri më i madh tregtar i Serbisë. Nga ana tjetër shteti serb është shumë i varur edhe nga Rusia për shkak të furnizimit me pajisje ushtarake, të cilat në një masë të madhe edhe definojnë marrëdhëniet ruso-serbe. Në vend janë rreth 1000 kompani me pronësi të pjesshme apo të plotë të Federatës Ruse, të cilat gjenerojnë fitime të vlerësuara me 5 miliarda euro. Ndërkaq në tetor të vitit 2017 shteti serb bleu gjashtë aeroplanë ushtarak nga rusët.

Çdo sondazh kallëzon se shumica e serbëve janë pro-rusë dhe konsiderojnë NATO-n të padëshirueshme. Kjo ndofta si pasojë e mbamendjes së sulmit të forcave perëndimorë mbi vendin e tyre më 1999, gjatë luftës së Kosovës. Gjatë vizitës së tij në Beograd, vitin e kaluar, zëvendëskryeministri rus Dmitrij Rogozin nënvizoi se: «Serbia nuk do bëhet kurrë anëtare e BE-së».

BE dhe SHBA-të janë të vetëdijshme se se Serbia vazhdon të jetë «delja e zezë» Ballkanit Perëndimor dhe se Rusia e ruan. BE thjeshtë refuzon atë çka bën Putin në Serbi dhe nuk shpreson se Erdogan do ndryshojë stilin e tij diktatorial gjersa ai dhe partia e tij AKP të jenë në pushtet, pasi ata nuk janë në përputhje me kulturën socio-politike perëndimore.

Në bisedë e sipër me drejtorin dhe themeluesin e RTV-së beogradase B92, Veran Matić, na tha se Vučić padyshim se është e interesuar të ketë marrëdhënie të mira ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Sipas tij Serbia dëshiron të jetë e kyçur në «Stream Pipeline»-n turke (pasi rrjedha jugore nuk është opsion, Serbia s’mund të varret nga gazi rus, pasi ai nuk mund të dorëzohet në mënyrë direkte).

«Për Serbinë», shton Matić, «investimet janë shumë të rëndësishme, mirëpo nga ana tjetër jemi të shqetësuar se kemi marrëdhënie të mira me një sistem që njihet mbrojtës i rrejshëm i lirisë së mediave si dhe me një sistem që ka numrin më të madh të gazetarëve të burgosur në botë»

Në bisedë e sipër, historiani dhe filozofi zvicerano-shqiptar Xhemal Ahmeti sqaroi edhe përmasën globale të këtij zhvillimi, duke vënë në pah takimet dhe aktivitetet e shpeshta ndërmjet Iranit, Turqisë dhe Rusisë, të cilat qartë zbulojnë konturet e bashkëpunimit të tyre në Lindjen e Mesme dhe Në Ballkan. «Këto fuqi», thotë ai, «kanë rënë në ujdi rreth sferave të ndikimit që duan, me një agjendë të qartë kundër armikut të tyre të përbashkët – SHBA-ve. Edhe në Ballkan ekziston një aleancë veprimi ndërmjet doktrinës së gjysmëhënës shiite, pansllavizmit të Putinit dhe neo-osmanizmit të Erdoganit kundër agjendës strategjike të BE-së edhe në Ballkan» kështu Ahmeti.

Njohja e Pavarësisë Kosovës mbetet kushti kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE. Përkundër kësaj Elena Guskova nga Instituti për Studime Ballkanike i Akademisë së Moskës është e bindur se «bashkëpunimi i serbeve më ushtrinë ruse paraqet «garancinë e sigurisë» për shumicën e serbëve». Për këtë arsye Vučić kërkon përherë mbështetjen e Moskës në lidhje me Kosovën dhe kundërshtoi anëtarësimin në NATO. I njëjti ishte kryetari i parë i jashtëm që takoi Putinin pas rizgjedhjes së tij si kryetar, kur edhe ripotencoi: «Serbia do ta ruaj pavarësinë e saj, Serbia do ta ruaj neutralitetin e saj dhe nuk planifikon të bëhet anëtare e NATO-s apo çfarëdo lidhjeje tjetër ushtarake», siç transmetoi «Irish Times», gjatë vizitës së tij në Kremlin.

Profesori i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, Blerim Latifi është i sigurt se kjo «Lidhje» ndërmjet Turqisë, Rusisë dhe Serbisë është një grusht i rëndë kundër funksionimit unikal të NATO-s dhe se «çdo grusht kundër saj ka ndikim negativ në siguritë kombëtare të Ballkanit».

Bashkimi Europian duhet t’i bëjë shumë më qartë Serbisë se pa ndërmarrë reformat e nevojshme sociopolitike (konform vlerave perëndimore – v.p.) nuk mund të bëhet anëtare e BE-së. E Serbia me bashkëpunimin e llojit të ngushtë me Putin dhe Erdogan as që ka gjasa për t’iu bashkuar BE-së.

Gjersa Putin nuk e fsheh armiqësinë e tij kundrejt aleancës perëndimore dhe përpiqet të godasë interesat perëndimore kudo që mundet, Erdogan përdor dy metoda e mënyra; Ai dëshiron të mbajë anëtarësinë e Turqisë në NATO, dhe me sa duket ende dëshiron të bashkohet me BE, por njëkohësisht minon interesat strategjike të BE-së dhe NATO-s në Ballkan, duke kërkuar që vendet e Ballkanit e në mënyrë të veçantë Serbia për t’i shërbejnë skemës së tij tinëzare.

Bashkimi Europian duhet t’i bëjë shumë më qartë Serbisë se pa ndërmarrë reformat e nevojshme sociopolitike (konform vlerave perëndimore – v.p.) nuk mund të bëhet anëtare e BE-së. E Serbia me bashkëpunimin e llojit të ngushtë me Putin dhe Erdogan as që ka shanse për t’iu bashkuar BE-së.

Serbia duhet të kuptojë, të jetë e sigurt, se demokraci e qëndrueshme, liri, dhe rritje ekonomike mund të arrijë vetëm në bashkëpunim me BE-në. Ajo duhet të distancohet nga diktatorë të pamëshirshëm që pretendojnë të jenë shpëtimtar të Ballkanit e në fakt shfrytëzojnë dobësinë e rajonit për interesat e tyre strategjike afatgjate deri ne fund.