Vrasja e Cukut, mbyllen hetimet për ekzekutorin Shallari

Kur ka kaluar më shumë se një vit (8 prill 2017) nga vrasja e ish-Drejtorit i Policisë së Vlorës, Artan Cuku, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet për Mikel Shallarin dhe i kanë kërkuar gjykatës që ta ligjërojë atë si bashkëpunëtor i drejtësisë. Kjo kërkesë për Mikel Shallarin do të shqyrtohet nga gjyqtarja Miliana Muça. Mikel Shallari ka pranuar vrasjen, por nga ana tjetër 24-vjeçari nga Kuçova ka treguar emrin e personit që e ka porositur krimin.

Kush është Bledar Jambelli?

Bledar Jambelli, një emër jo i panjohur për policinë dhe vetë Artan Cukun në kohën kur kryente detyrën e Drejtorit të Policisë së Vlorës. Jambelli i dyshuar si porositës i vrasjes së ish-komisarit Artan Cuku, është arrestuar 6 vite më parë si i përfshirë në tre vrasje. Ka qenë vetë Cuku i cili në cilësinë e drejtorit të Policisë së Vlorës, ka rihapur hetimet për dosjet e vjetra dhe çoi në pranga në dhjetor 2012, Bledar Jambellin atëherë 32-vjeç.

Historiku i krimeve ku ka qenë i përfshirë Bledar Jambelli ka nisur në Spanjë në vitin 2006 pas prishjes së pazareve të drogës. Në atë kohë, Sokol Rama u dyshua si autor i vrasjes së Niko Delajt, xhaxhait të Amarildo Delajt, i vrarë në qershor 2012 në Vlorë, ndërsa Bledar Jambelli dyshohej bashkëpunëtor në krim. Rama u kap nga autoritetet spanjolle për vrasjen e dyfishtë, por për mungesë provash u la nën masën “detyrim paraqitjeje”.

Dy muaj më vonë, nëntor 2006, u vra e ëma e Sokol Ramës për hakmarrje. Autorësinë e krimit e mori përsipër vëllai i Slejdi Zanajt. Daja i vëllezërve Zanaj u qëllua për vdekje në dhjetor të vitit 2006. Edvin Zanaj, i plagosur në këtë kohë, u ekzekutua një vit më vonë në Tiranë.

Në këto raste u dyshua se ekzekutori ishte Sokol Rama, por në skenë doli edhe 32-vjeçari Jambelli si i përfshirë. Jambelli u arrestua në dhjetor 2012 në Aeroportin e Rinasit në tentativë për t’u larguar jashtë shtetit. Dosja për zbardhjen e krimeve dhe arrestimin e autorit të dyshuar të dy vrasjeve, Bledar Jambelli, u kryesua nga ish-drejtori i policisë së Vlorës, Artan Cuku.

21 vite nga atentatet që krijuan hasmëritë në Spanjë sërish risjellin emrin e Bledar Jambellit i cili fitoi lirinë nga drejtësia dhe dyshohet se kontaktoi Mikel Shallarin për të vrarë Artan Cukun.