Prokuroria e Krimeve të Rënda nis fletë thirrje kryeministrit Rama

Me datë 16 maj 2018 kryeministri Rama i kthyer me urgjencë nga takimi me Presidentin francez Macron foli, ndër të tjera, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS për sulmet ndaj ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj.
Ndër të tjera kryeministri tha se”… qoftë nga përgjigja që unë kam marrë nga analiza shkencore e materialit audio, qoftë informacionet e grumbulluara nga burimet e referuara më lart, prej të cilave nuk ka asnjë indicie të asnjë veprimtarie të paligjshme të vëllait të ministrit të Brendshëm, nuk kanë asnjë vlerë ligjore konkluzive, sepse ne nuk jemi njësoj, nuk jemi si ata dhe kjo është e vërteta që ne respektojmë. Që do të thotë se më mjaftojnë mua si Kryeministër për të krijuar bindjen që ministri i Brendshëm duhet të vazhdojë të kryejë detyrën, por nuk e bëjnë asnjë çikë më pak urgjente, nevojën urgjente për një hetim shterues të prokurorisë. Sepse mua në këtë rast më takon gjykimi politik, por jo ai ligjor e ai penal. Në asnjë rast”.
Në çështjen penale të hapur nga prokuroria e krimëve të rënda në lidhje me këto akuza kanë dëshmuar këtë të hënë gazetari Jetmir Olldashi, i cili pranon se ka bërë regjistrimet, deputetët Salianji dhe Alibeaj të PD-së si dhe ish-ministrit i Drejtësisë së PD, Gazmend Bardhi. Para disa ditësh ka bërë padi dhe ka dëshmuar edhe vetë Agron Xhafa, vëllai i ministrit i cili ka theksuar se e gjitha kjo është sajesë dhe mashtrim. Ndaj ka depozituar edhe zërin e tij në prokurori që ti jepet mundësia drejtësisë për të bërë analizën e zërit në ndonjë agjensi të specializuar të huaj, por mundet edhe të Shqipërisë.
Çështja është bërë shumë e ndjeshme, pasi PD insiston se ka shkelje të ligjit duke akuzuar vëllain e ministrit si të përzier në drogë, kurse PS-ja e mohon në mënyrë kategorike.
Prokuroria e Krimëve të Rënda ka vendosur që në hetime do dëshmojnë gjithë aktorët që janë përfshirë në këtë çështje delikate. Ndërkohë janë firmosur fletë thirrjet për kryeministrin Edi Rama, ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kryetarin e PD-së Lulzim Basha.
Fletëthirrjet janë në cilësinë e dëshmitarit që ka dijeni për ngjarjen e cila mbetet objekt hetimi penal.