Luan Rama: Prokuroria të tregojë se nuk është nën urdhrat e kryeministrit

Zv.Kryetari i LSI-së, Luan Rama deklaron se protesta e 26 majit është një nga shfaqjet e rolit opozitar. Rama tha se rruga ligjore dhe denoncimi janë mënyrat e duhura, duke shtuar se Prokuroria është para provës për të treguar paanshmëri dhe besueshmëri.

“Prokuroria duhet të kalojë provën e zjarrit, duket të tregojë që nuk është një mekanizëm që mban Kryeministri, është përballë një prove që duhet të bindë edhe skeptikët. Duhet të thërrasë edhe Kryeministrin mbi gjithçka që tha për analizën e video-përgjimit, kur tha se ai i është drejtuar një agjencie prestigjioze për të bërë analizën e video-përgjimit.

Rama nuk ka çfarë të bëjë publike, sepse nuk ka asnjë lloj përgjigje. Madje edhe po të kishte iluzionin se do të kishte të drejtë, do të shfaqej i qetë dhe nuk do të deklaronte se nuk e tregon adresën e agjencisë që ka përdorur për ti bërë analizën video-përgjimit.

Rama u shfaq arrogant, është në hall të madh dhe është në detyrën e organeve të zbatimit të ligjit ta shpëtojnë nga ky hall, sikundër opozita ka detyrimin që ta nxjerrë lakuriq Ramën në sytë e opinionit publik”, tha Luan Rama për Syri.net.

Sipas deputetit të LSI-së, për fat të keq qytetarët e Kukësit janë ende në burg për asgjë, janë në burg për atë që vetë Kryeministri e pranoi gabimin dhe kërkoi falje. “E ndërsa ata janë në burg dhe askush nuk flet për ta, vazhdojnë përmasat e një sjelljeje kriminale të qeverisë”, tha Luan Rama.

Luan Rama shprehu bindjen se e keqja do të mundet, sepse në themelin e saj është e kriminalizuar dhe e kalbur. “Fundi do të jetë i njëjtë sikundër të gjitha qeveritë e tilla. Arsyeja e protestës është e qartë, është një vullnet qytetar për të dëshmuar forcën përballë një qeverisjeje që është e izoluar dhe në minorancë. Reagimi qytetar ka qenë për t’u admiruar në fakt dhe ne e kemi për detyrë të artikulojmë, administrojmë atë, me rolin që ka çdo opozitë. Është në turpin e mazhorancës që ka shënuar një rekord me miratimin e një ligji që të dekriminalizonim Parlamentin”, tha Luan Rama.

Sipas tij, është e turpshme që ne të jemi vendi që të tregohemi me gisht për kriminalitetin, drogën, pastrimin e parave dhe në anën tjetër kemi një Kryeministër që do të tregojë se është një lider global.