Klane në PS kundra Xhafajt? Rama: Unë s’do duhet të isha në faqe të dheut

I pyetur nga gazetarja Mirela Milori nëse mund të ketë në Partinë Socialiste klane që mund të kenë përballje me ministrin Fatmir Xhafaj, kryeministri Rama dha këtë përgjigje:

“S’e mendoj se unë e kam pak a shumë të qartë si është zhvilluar dhe nëse prokuroria do i shkojë deri në fund njerëzit do shohin gjëra që janë shumë tronditëse, këtu janë përfshirë struktura. Këtu është një gjë matematikisht e sigurtë. Mjafton që prokuroria ti drejtohet kujtdo agjencie e të marrë të vërtetën, unë e përsëris, askush mos më besojë, të presim rezultatin që të vijë nga një agjenci e specializuar ndërkombëtare cilado qoftë ajo”- tha ai.

Teksa gazetarja i ka bërë të njëjtën pyetje të cilës Rama në konferencën për media pak ditë më parë ku pati një përplasje me gazetaren e pranishme aty, nuk mundi t’i përgjigjej, nëse kaq e vështirë është të gjejë Rama njerëz që mos të kenë të afërm të implikuar, kryeministri u shpreh se një parti politike, një qeveri, një organizatë s’mban përgjegjësi për faktin se një anëtar i familjes mund të bëjë një mëkat.

“Më vjen shumë keq që u bë ngjarje, më vjen të qesh e të qaj me ata që e trajtuan si një moment heroizmi gazetareskt, ishte shfaqje brutale e mungesës së etikës. Një familje, një parti politike, një qeveri, një organizatë s’mban përgjegjësi për faktin se një anëtar i familjes mund të bëjë një mëkat, që një anëtar i familjes mund të shkelë ligjin, të dali si dru i shtrembër, por përgjegjësi për mënyrën si reagon ndaj rastit, një qeveri është shumësi njerëzish që i bashkojnë disa vlera parime program e motivim, por të gjithë janë të ndryshëm e çdonjeri mund të jetë i tunduar dhe ndër ta ka njerëz që bien në ngasje e pastaj shfaqen në shkelje të ligjit, apo të akuzuar. Edhe në kishë njerëzit shkojnë si vdekatarë dhe mëkatarë, jo si engjëj, që në rast se dikush ka rënë në mëkat është i përjashtuar nga vatha e perëndisë. Nisur nga kush i bën akuzat, atëherë s’gjejmë më askënd që mund të jetë i pagjykueshëm në moralin e vet. Unë jam eksperiment i gjallë i akuzave që janë bërë, unë s’duhet të isha më në faqe të dheut. Ka akuza të drejtësisë, politikës, insinuata, në raport me këto ka gjykime dhe gjykimi bazohet mbi domosdoshmërinë që figura që akuzohet të mos jetë i lidhur mbi akuzat që i bëhen dhe e dyta se në Shqipëri ka një baltë të madhe dhe kulturë akuzash që vjen nga koha e vjetër. Në rastin e Saimir Tahirit reagova, pasi akuza erdhi nga drejtësia dhe tani të provojë të vërtetën”- tha Rama.