Erdogan fushatë në Sarajevë. Presidenti i Bosnjes: Zoti e dërgoi, ndihmojeni

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdoan mbajti në Sarajevë një tubim elektoral që pritet të jetë i vetmi i këtyre përmasave në tokë të huaj, i lidhur me zgjedhjet e 24 qershorit. Nga kryeqyteti i Bosnjes, kreu i shtetit turk iu drejtua rreth 3 milionë turqve që jetojnë jashtë kufijve me një fjalim që mund të ketë impakt të madh mbi rezultatin përfundimtar zgjedhor.

”Kjo turmë dhe ky zë i njerëzve të Sarajevës janë shenjat e një fitoreje të madhe në zgjedhjet që do të mbahen në Turqi. Vendet europiane nuk i deshën tubimet tona, por Bosnja na e dha këtë mundësi. Bosnja dëshmoi demokracinë e saj”, deklaroi Erdogan.

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, në fjalimin e tij në Kongresin e gjashtë të Unionit të Demokratëve Turq të Europës (UETD) në Sarajevë, befasoi me deklaratën për Erdogan, ku tha se Zoti e ka dërguar.

“Zoti ua ka dërguar Erdoğanin, të cilin duhet ndihmuar që të fitojë ana e drejtë. Kam kënaqësi të shoh flamuj të përzier të Turqisë dhe BeH-së. Ne ishim së bashku për një kohë të gjatë dhe jetuam së bashku, luftuam së bashku. Për herë të fundit boshnjakët mbrojtën Turqinë në Çanakkala si atdheun e tyre”, tha Izetbegoviç.