Dita e jetimëve, fëmijët zënë vendet e deputetëve në Kuvend

Në prag të ditës kombëtare të jetimëve këta fëmijë kërkuan më tepër vëmendje nga institucionet shtetërore. Problemet e tyre i thanë nga foltorja e parlamentit, ndërsa Presidenti i Republikës kërkoi më tepër vemendje për ta.

Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë këtë të shtunë ishin fëmijët jetimë. Në kuadër të ditës kombëtare të jetimëve, ata simuluan një seancë plenare.

Më shumë se 23 probleme që u ngritën nga foltorja e parlamentit bënë zëvendëskryetaren e Kuvendit të pranonte se për fëmijët jetime nuk është bërë sa duhet.

Marrjen e më tepër përgjegjësive për të krijuar një mjedis më të sigurtë, më frymëzues e angazhues për të rinjtë dhe fëmijët jetimë kërkoi edhe Presidenti i Republikës, i cili më herët organizoi një pritje për këta fëmijë.

Presidenti Meta u shpreh se kujdesi ndaj fëmijëve jetimë është prioritet që e ka bërë të qartë sapo ka marrë detyrën.