Ahmataj nuk e bën dramë: Luajmë futboll të vërtetë, kemi edhe një shans tjetër

Trajneri i Kamzës, Julian Ahmataj nuk e bën dramë humbjen e skuadrës së tij në shifrat 2-1 ndaj Laçit. Ai u shpreh se mungesat e shumta dhe eksperienca e disa lojtarëve ndikuan që skuadra e tij të dilte e mundur.

“Nëse do të ishte ndeshja e fundit, do të ishte tragjike, pasi mund të binim, por kemi edhe një shans tjetër. E patë tensionin që ishte prezent sot. Disa lojtarë me eksperiencë e mbajtën presionin, ndërsa disa të rinj nuk ia arritën. Idrizaj na prishi shumë punë, pasi me atë kishim përgatitur goditjet standarde. Mendoj se ishte një fat i keq i joni. Edhe tre ndërrimet e tjera ishin të detyruara. Nuk patëm asnjë shans për të rikuperuar skuadrën. U munduam të lëviznim brenda skuadrës me pozicionet. Duhet ta menaxhonim më mirë fundin e ndeshjes. Entuziazmi e çoi ekipin në një pikë ku nuk duhet të shkonte.

Ishte një disekuilibër në fund të ndeshjes, edhe nga lodhja. Ata nuk reaguan në ato momente, ndoshta edhe nga lodhja. Këtu ka qenë futboll i vërtetë deri në fund. Të dyja skuadrat e kanë luajtur deri në fund, për objektivat e tyre. Te ndeshjet e tjera, luajnë skuadra që i kanë arritur objektivat e tyre në kampionat dhe e kanë mbyllur sezonin e tyre.

Mungesa e Sebino Plakut është një humbje e madhe për ne. Në mungesë të një sulmuesi tjetër, jemi të detyruar që qendërmbrojtësin ta çonim në sulm. Puna që duhej të bënte sulmuesi mungoi”, ka thënë Ahmataj pas ndeshjes.