Hetimi ndaj çiftit të prokurorëve, Marku shkel ligjin?

Çifti i prokurorëve, Rovena gashi dhe Dritan Gina, janë marrë të pandehur nga prokuroria e Durrësit për fshehje dhe refuzim të deklarimit të pasurisë. Ata u pezulluan nga detyra nga eprorja e re Arta Marku, me të cilën ata hynë në luftë menjëherë sapo ajo u zgjodh si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.

Ajo ka vendosur që hetimin ndaj tyre ta kalojë për kompetencë në Prokurorinë e Fierit, duke shkelur çdo parashikim të Kodit të Procedurës Penale. Arta Marku ka pasur një përplasje ligjore dhe publike me prokurorët Gashi e Gina në fillim të vitit 2018. Në vijim të këtij debati, Marku urdhëroi kryeprokuroren e Durrësit në atë kohë, që të niste hetim për pasurinë e bashkëshortëve Gashi-Gina.

Donika Prela,vetëm një ditë para se të largohej për në drejtim të Krimeve të Rënda, vendosi mbylljen e hetimeve dhe marrjen në cilësinë e të pandehurve për bashkëshortët prokurorë. Neni 78 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se në rastet kur merret në cilësinë e të pandehurit një prokuror që punon apo ka punuar në atë prokurori në kohën kur ka ndodhur vepra penale për të cilën akuzohet, atëherë çështja kalon për kompetencë në gjykatën e rrethit më të afërt.

Në rastin konkret, prokurori Gina ka punuar për një kohë të gjatë në Prokurorinë e Durrësit. Ai, së bashku me bashkëshorten e tij, akuzohen për ”Fshehje të pasurisë”, vepër, e cila sipas pretendimeve të Prokurorisë së Durrësit, ka një shtrirje kohore ku përfshihet edhe periudha në të cilën Gina ka ushtruar funksionet si prokuror pranë asaj prokurorie.

Në rastin konkret gjen zbatim neni 78 i Kodit të Procedurës Penale dhe çështja duhet t’i kalojë për kompetencë gjykimi gjykatës së rrethit më të afërt, Kavajës ose Krujës. Por ajo ka caktuar si gjykatën më të afërt me Durrësin, atë të Fierit.

Shefja e akuzës ka kaluar Krujën, Kavajën, Lushnjen dhe ka arritur në Fier, ku ka caktuar që të gjykohen bashkëshortët Gashi-Gina. Tashmë të dy ata janë nën hetim për pasuritë nga prokuroria e Durrësit, që është e njëjta prokurori që në muajin prill delegoi pranë Krimeve të Rënda çështjen ndaj ish-shefit të akuzës Adriatik Llalla.